Dhuna ndaj grave deputete/ Reagon Aleanca e Grave Parlamentare: Dënojmë aktet e dhunës, tregojnë dëshpërim

0

Aleanca e Grave ka reaguar për incidentin e ndodhur në Komisionin e Medias, ku deputetët Gazment Bardhi e Flamur Noka debatuan ashpër me Flutura Açkën, gjatë mbledhjes, duke i shkulur kësaj të fundit edhe mikrofonin teksa po fliste.

Përmes një deklaratë, Aleanca e Grave dënon me ashpërsi dhunën dhe intimidimin e ushtruar ndaj Açkës.

Kjo aleancë i siguron qytetarëve shqiptarë e në veçanti grave shqiptare se do vijojnë të jenë zëri i tyre në Parlamentin e Shqipërisë dhe do të refuzojnë të përballen me çdo akt dhune dhe që frymëzon dhunë ndaj grave.
DEKLARATA E PLOTË:

Aleanca e Grave Parlamentare dënon me ashpërsi dhunën dhe intimidimin e ushtruar dje në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik ndaj Kryetares znj. Flutura Açka dhe kolegeve tona deputete anëtare në këtë komision! Dhuna është një akt që tregon dëshpërim. Përdoruesit e dhunës tregojnë hapur pamundësinë e tyre për të pranuar se ka mendim ndryshe, qëndrim ndryshe. Dhuna ndaj grave është të mos kuptosh më vetitë më të rëndësishme njerëzore dhe të futesh në një tunel errësire. Ne gratë deputete, shprehim indinjatë të thellë për atë që ndodhi dje si dhe për gjithë klimën e linçimit dhe përbaltjes së grave dhe kërkojmë vënien para përgjegjësive të autorëve të kësaj dhune.

Ne besojmë te politika e arsyes, e mendjes dhe e argumenteve të qarta dhe refuzojmë errësirën e së paarsyeshmes, dhunën që vjen si pasojë e mungesës së argumenteve. Ne dënojmë aktet e dhunshme dhe shpresojmë që jo vetëm të mos përsëriten më, por Kuvendi të kthehet në shinat e normalitetit dhe të gjithë deputetët të bëjnë detyrën për të cilën qytetarët i kanë votuar. Ne i sigurojmë qytetarët shqiptarë e në veçanti gratë shqiptare se do vijojmë të jemi zëri i tyre në Parlamentin e Shqipërisë dhe do të refuzojmë e përballemi me çdo akt dhune dhe që frymëzon dhunë ndaj grave.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu