Teksa ndodhej në Elbasan duke zhvilluar takim me biznesmenët me temën “Paqja fiskale” kryeministri Edi Rama ka shkëmbyer batuta me një prej biznesmenëve të pranishëm. Biznesmeni mori mikrofonin për të thënë se ai vetë nuk kishte parti por ishte ofruar për punët e qytetit te kryetari i bashkisë për ta pyetur nëse kishte nevojë për ndonjë sponsorizim, e kjo sipas tij është komentuar sikur ai ishte socialist.
Rama i tha me batutë dhe ironi që pas kësaj deklarate ai jo vetëm që ishte socialist dhe vetë kryeministri i ka bërë ndere, por do dalin edhe çift, “do jemi prindi 1 dhe prindi 2 i një elbasanlliu të vogël”. Ai shtoi më tej se nuk duhet të dëgjojë të tjerët, por të bëjë atë që do e të shkoj atje ku do kur të dojë.
Pjesë nga biseda:
Biznesmeni: Unë nuk kam parti, jam i djathtë. Dje kam dëgjuar lajmin më të çuditshëm, që unë paskam një vëlla të vrarë në vitin 1997 dhe Edi Rama më ka shpërblyer mua me diçka që nuk është nevoja ta them.
Edi Rama: Vetë e ke fajin. Nuk duhet të takohesh me mua.
Biznesmeni: Po nuk jemi takuar asnjëherë.
Edi Rama: Po ja vjen këtu.
Biznesmeni Unë di të them një gjë, duam të ngremë biznese dhe nuk kemi njerëz. Unë kam ndërmarrje edhe në Durrës, jam drejtues teknik. Kam rënë njëherë poshtë dhe tani jam ringritur. Doja të dija ç’do ndodhi me faljen e borxheve të mëparshme, se biznesi ka dështuar për shkak të rritjes së çmimit në 2008-2009, falimentova. Tani po dal para kohe në pension dhe jam lokomotivë për një pjesë tjetër të kompanisë. Por për sa i përket qytetit unë i kam thënë kryetarit, nëse ka nevojë për sponsorizim para fushate, se pastaj ta marrin sikur je i majtë.
Edi Rama: Po pra por e ke fajin vetë për këtë, ka dy rrugë në këtë vend o je vetja jote edhe shkon ku të duash, kur të duash dhe nuk i dëgjon këta, ose po bëre si do vetë e të dëgjosh këta, ti miku im, jo vëlla që të kam bërë unë ndër në ’97. Pas kësaj të sotmes unë dhe ti do dalim çift, do jemi prindi 1 dhe prindi 2 i një elbasanlliu të vogël.
Biznesmeni Dyshimi i parë do jetë që kjo që unë mora mikrofonin është e stisur.
Edi Rama: Po, ti bëre gabim që e the këtë se ne e diskutuam më përpara këtë punë, që ta shikojnë që ne kemi një marrëdhënie intime bashkë por kemi frikë ta ekspozojmë.