Dialogu Kosovë-Serbi/ Nesër takimi në nivel negociatorësh në Bruksel, BE: Shpresojmë që ngjarjet e fundit në veri të mos ndikojnë

0

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar sot se BE pret që në takimin e nesërm mes kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel, të dy palët të kontribuojnë në krijimin e atmosferës për zbatimin e shpejtë të angazhimeve që janë marrë në Ohër.

“Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, nesër do të kemi takimin e kryenegociatorëve nga të dyja palët në Bruksel. Presim që të dyja palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që janë marrë veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes të marsit në Ohër. Vetë palët janë zotuar të përmbahen nga çdo veprim që do të kishte efekt të kundërt, që do të thotë se do të ishte kundër kësaj atmosfere, atmosferës së nevojshme të angazhimit dhe pajtimit konstruktiv. Shpresojmë që ajo që kemi qenë dëshmitarë gjatë ditëve të fundit, sidomos në Kosovë dhe në veri nuk do të ketë ndikim në takimin e nesërm. Takimi i kryenegociatorëve nesër është i rëndësishëm sepse ata do të diskutojnë. Ata do të takohen në fakt për herë të parë zyrtarisht pas marrëveshjes së Ohrit dhe do të punohet dhe diskutohen hapat e nevojshëm për zbatimin e zotimeve që dalin nga marrëveshja dhe aneksi i saj”, është shprehur Stano.

I pyetur rreth zbatimit të marrëveshjes ai ka thënë se tashmë e kanë trajtuar këtë çështje disa herë.

“Ne e kemi trajtuar këtë çështje disa herë tashmë. Domethënë ka kaluar një muaj e pak ditë që nga arritja e marrëveshjes në Bruksel që nga marrëveshja për aneksin nga palët dhe çdo spekulim për nënshkrimin apo mënyrën e adoptimit është krejtësisht i kotë. Sepse ajo që është e rëndësishme është se të dyja palët ranë dakord për këtë tekst, është një deklaratë politike. Ky është zotim i qartë që është pranuar nga të dyja palët përmes deklaratës së përfaqësuesit të lartë, deklaratë e cila është publikuar gjatë natës pas përfundimit të bisedimeve të Ohrit. Pra, ka një angazhim të qartë, pranim të qartë nga të dyja palët se ata pranojnë marrëveshjen dhe aneksin, dhe ata marrin një angazhim politik për të filluar zbatimin e saj. Pra, çdo diskutim për nënshkrimin ose jo është krejtësisht i kotë, sepse ajo që duhet tani është përmbushja e zotimit, dhe zotimi ishte shumë i qartë, zotim për zbatim”, ka thënë Stano.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu