DIBËR– Etmond Lalaj është arrestuar nga policia e Dibrës, pasi i ka vendosur lëndë eksplosive në afërsi të banesës dhe dyqanit një 54-vjeçari.
Gjithashtu, në portën hyrëse të dyqanit të Artan Cuka ka vendosur një tjetër sasi lënde plasëse eksploziv, dhe nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të vogla materiale.
Në cilësinë e provës materiale, Etmond Lalajt, iu gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pushkë, 87 copë fishek, 4 granata dore, 5 copë ndezëse granatash, 4 metër fitil zjarrpërcjellës, 2 targa të një automjeti në pronësi të një shtetasi tjetër dhe një aparat celular. 42-vjeçari i kishte fshehur armët brenda në mur dhe i kishte mbuluar me një panoramë lecke.
Sipas policisë 42-vjeçari dyshohet se është autor dhe i disa ngjarjeve të mëparshme me eksploziv në Burrel, për të cilin në bashkëpunim me prokurorinë vijojnë hetimet intensive për zbardhjen dhe grumbullimin e provave, si dhe identifikimin e kapjen e bashkautorëve të tjerë të përfshirë në këto ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.