Digjen dy automjete në Maliq, dyshime për zjarrvënie të qëllimshme

0

Dy mjete janë djegur mëngjesin e sotëm në fshatin Sovjan të bashkisë Maliq. Sipas informacioneve paraprake, njëra nga makinat është djegur plotësisht, ndërsa tjetra është dëmtuar pjesërisht nga flakët, të cilat dyshohet se janë përhapur edhe për shkak të telave të energjisë elektrike në afërsi.

Policia nuk përjashton mundësinë që për mjetin e djegur plotësisht të kemi të bëjmë me një zjarrvënie të qëllimshme.

Ndërkohë, autoritetet po marrin në pyetje banorët e zonës dhe po kontrollojnë perimetrin për kamera sigurie që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se pronari i mjetit të djegur mohon të ketë pasur konflikte me persona të tjerë, por pista e një zjarrvënieje të qëllimshme mbetet ende aktive. Hetimet vijojnë.