Diskutimet në Shtëpinë e Bardhë për Gazën, i pranishëm në takim me Trump edhe Tony Blair

0

SHBA- Ish-kryeministri britanik, Tony Blair mësohet se po merr pjesë në takimin që po zhvillohet në Uashington për të diskutuar planet për Gazën. Gjithashtu në këtë takim është edhe dhëndri i Trump dhe ish-këshilltari i lartë, Jared Kushner. Sipas BBC Kushner do të përfshijë diskutime mbi rritjen e ndihmës për territorin palestinez.

I dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ka thënë se SHBA-të po hartojnë një plan shumë gjithëpërfshirës për Gazën pas zgjidhjes së konfliktit. Takimi vjen pasi ushtria izraelite i paralajmëroi palestinezët se evakuimi i qytetit të Gazës ishte i pashmangshëm, ndërsa forcat e saj përgatiten ta pushtojnë atë.

Tanket izraelite hynë në një zonë të re të qytetit gjatë natës, duke shkatërruar shtëpi dhe duke detyruar më shumë banorë të largoheshin. Mijëra njerëz janë zhvendosur tashmë për shkak të përparimeve të fundit izraelite kryesisht në pjesë të tjera të qytetit, ku ende jetojnë rreth një milion palestinezë.

Në fillim të gushtit, Izraeli njoftoi planet për të pushtuar të gjithë Rripin e Gazës – përfshirë Qytetin e Gazës, të cilin e përshkroi si bastionin e fundit të Hamasit. OKB-ja dhe organizatat joqeveritare kanë paralajmëruar se një ofensivë izraelite në qytetin e Gazës do të kishte një ndikim të tmerrshëm humanitar.

Izraeli nuk e ka pranuar propozimin e fundit nga ndërmjetësuesit rajonalë për një armëpushim 60-ditor dhe kthimin e rreth gjysmës së pengjeve, duke thënë se tani do të bjerë dakord vetëm për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të rikthyer të gjithë pengjet dhe për t’i dhënë fund luftës sipas kushteve të saj.