Dita e tretë e protestës për rritjen e çmimeve në Tiranë dhe disa qytete, në Durrës çahet kordoni i policisë. Shoqërohen disa persona

0

Sot është dita e tretë e protestës për rritjen e çmimit të naftës që për pasojë ka sjellë dhe rritjen e çmimeve të tjera.

Në Tiranë janë mbledhur dhjetëra qytetarë në shesh duke paralajmëruar se ditën e nesërme në orën 11:00 do të jetë protesta më e madhe pasi do të vijnë edhe njerëz nga e gjithë Shqipëria. Ndërkohë, ditën e sotme po zhvillohen protesta edhe në qytete paralele.

18:28 Shoqërohen mbi 10 persona në komisariat nga policia e Lezhës. Mes të shoqëruarve janë dhe 2 vajza.

Durrës – Qytetarët në Durrës janë kundër rritjes së çmimeve ndërsa disa prej tyre mbajnë në dorë pankartën “protesto edhe ti për rritjen e pagave dhe pensioneve”. Në protestë ka prani të shtuar forcash policore që janë për të parandaluar çdo bllokim rruge. Protestës i bashkohet dhe Konfederata e Sindikatave.

Protestuesit po lëvizin drejt Urës së Dajlanit që lidh qytetin e Durrësit me autostradën, ndërsa një pjesë po përpiqen të bllokojnë qarkullimin edhe në rrugën paralel me rrethimin e portit. Qytetarët kanë bërë thirrje që të mos ndërhyjë policia, të cilët kanë bërë edhe shoqërime. Ndërsa protestuesit kanë arritur të çajnë kordonin e policisë, të tjera forca kanë shkuar menjëherë në vendngjarje për të ruajtur gardhin e policisë.

18:17 – Protestuesit kanë ndaluar poshtë mbikalimit te Ura e Dajlanit dhe bëjnë thirrje që shoferët të fikin makinat. Pas çarjes së kordonit të policisë janë bërë dhe shoqërimet e para. Numri i lartë i të proceduarve për protestën e një dite më parë ka ndikuar në uljen e numrit të protestuesve në këtë ditë të tretë të protestës në Durrës.

18:24 – Protestuesit nuk dorëzohen. Një pjesë e tyre ngjiten në mbikalim, në sens të kundërt, për të dalë sërish në autostradë e bllokuar qarkullimin.

Lezhë – Qytetarët janë ulur këmbëkryq në rrugë duke shkaktuar radhë të gjatë mjetesh pasi bllokuan autostradën Lezhë-Shkodër. Nuk ka zgjatur shumë çaste sepse ka ndërhyrë policia.

Bulqizë – Protesta ka nisur edhe në Bulqizë pasi protestuesit kanë bllokuar rrugën nacionale. Policia po përpiqet të ndalojë protestuesit që të marshojnë në rrugë.

Shkodër – Qindra qytetarë po marrin pjesë në protestë në qytetin e Shkodrës. Qytetarët kanë nisur të marshojnë nëpër qytet duke pezulluar lëvizjen e automjeteve. Nuk kanë munguar pankartat, përmes të cilave qytetarët përpiqen të japin mesazhet e tyre.

Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama, çmimi i naftës këtë të premte ka nisur të ulet, por sipas një vëzhgimi të korrespondentëve të InfowebTv në të gjithë vendin, vihet re se disa kompani ende abuzojnë duke e mbajtur çmimin më lart se të tjerët.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu