“Djalit tim i mungon babai”, rrëfimi prekës i zonjës Zelensky

0

Zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, bëri një rrëfim emocional për BBC për ndikimin që ka pasur në familjen e saj lufta e pashkak e nisur nga Rusia.

Në një intervistë shumë personale, ajo u shpreh ishte e vështirë të shihte fëmijët e saj të jetonin në pasiguri, të paaftë për të planifikuar të ardhmen e tyre.

“Kjo mund të jetë pak egoiste, por unë kam nevojë për bashkëshortin tim pranë meje”, tha ajo.

Kur Rusia nisi të ashtuquajturin “operacion special” në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, Olena Zelenska kaloi muaj të tërë duke u fshehur në vende sekrete me fëmijët e saj.

Ajo e përshkroi gjendjen e saj emocionale në fillim të pushtimit si “një ndjenjë konstante adrenaline”, teksa me kalimin e kohës e kuptoi se ishte e nevojshme të qetësohej dhe të fillonte të jetonte sipas kushteve të krijuara.

“Me burrin nuk jetojmë bashkë, familja është e ndarë. Ne kemi mundësinë ta shohim njëri-tjetrin, por jo aq shpesh sa do të donim. Djalit tim i mungon babai. Por ne qëndrojmë të fortë, kemi forcë si emocionalisht ashtu edhe fizikisht. Dhe jam e sigurt se do ta përballojmë së bashku”, rrëfen Olena.

Zonja e Parë dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, janë dashuruar që në shkollë të mesme dhe që nga ajo kohë vazhduan të punojnë së bashku në një trupë humori dhe studio televizive, ai si aktor dhe ajo si skenariste.

Tani, ajo reflekton se nuk e kishte ëndërruar kurrë që bashkëshorti i saj të bëhej “figura historike” që është sot, duke thënë se e kishte marrë malli dhe kishte nevojë që ai të qëndronte në krah si bashkëshort.

“Unë besoj në të. Dhe e mbështes. E di që ka forcë të mjaftueshme. Për çdo person tjetër që njoh, mendoj se do të ishte shumë më e vështirë kjo situatë. Ai me të vërtetë është një person shumë i fortë dhe elastik. Dhe ky elasticitet është ai që ne të gjithë kemi nevojë për momentin”, tregon Zonja e Parë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu