TIRANA- Pjesë nga fjala e Berishës:
Unë u ndala në këtë koment, në aktakuzën e turpshme figurojnë dhe financimet e përbashkëta, që janë bërë për paditë gjyqësore nga familja jonë si dhe dhurata që Fatmir Bektashi i ka bërë fondacionit ‘Fëmijët shqiptarë’ për festën e Vitit të Ri. Rikujtoj këtu se ky biznesmen fisnik, së bashku me dy ortakët e tij, i kanë dhuruar qytetit të Tiranës kopshtin dhe çerdhen më moderne në tokën e tyre. Përveç kësaj, ky biznesmen paska sponsorizuar dhe ky është akt, sipas tyre korruptiv, në vitin 2013, një udhëtim të Rikardo Koçiantes, mentorit të këngëtares së njohur, asokohe vajzë e re shqiptare, Elhaida Dani, e cila nën instruksionet dhe mbështetjen e tij, fitoi ‘Voice of Italy’.
Dhe me këtë rast, u ftua Rikardo bashkë me këngëtaren për t’u dekoruar nga Presidenti i Republikës. Ministria e Kulturës, se kush nuk mund të them, i është drejtuar dhe Fatmir Bektashi ka sponsorizuar udhëtimin dhe qëndrimin e tyre. Rikardo Koçiante, këngëtari i famshëm i cili edhe para disa kohësh ka qenë në Tiranë, në atë udhëtim nuk ka dhënë asnjë koncert. I janë bërë nderimet nga Presidenti i Republikës si një akt mirënjohje dhe vlerësimi. Së fundmi, akt korruptiv, provë tjetër kanë sjellë se Fatmir Bektashi paska sponsorizuar një biletë të Flamur Kuçit në studion e Libeskindit, për të cilin Sali Berisha nuk ka asnjë dijeni.
Fatmir Kuçi ka qenë këshilltar te unë, por ka qenë edhe pedagog në universitet. Udhëtimi i tij te Libeskind nuk ka pasur asnjë lidhje me projektin që ky arkitekt i madh kishte hartuar për Homeplanin. Këto janë akuzat konkrete për korrupsion me shifra, që mercenarët dhe monstrat e fëmijëve, kanë sjellë kundër Sali Berishës. Ajo që më revoltoi jashtë mase, se ata këtë aktakuzë e kishin shpërndarë dhe unë i mësova këto nga studiot televizive para se ta lexoja. E them këtu, nuk kam asnjë rezervë për ta publikuar që nesër, përveç do shihni aty qindra e mijëra emra që kanë futur vetëm për të mbushur faqe, gjë e cila nuk mund ta bëj pa asnjë aprovim të tyre se ata mund të lëndohen dhe nuk kam të drejtë t’i lëndoj.