ITALI- Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka reaguar së fundmi në lidhje me nismën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen që në samitin e liderëve evropianë t’i hapet rruga marrjes për bazë të modelit italo-shqiptar për hapjen e qendrave për menaxhimin e azilkërkuesve jashtë BE-së. Meloni theksoi se e vlerëson këtë nismë ndërsa shtoi shumica e shteteve anëtare të BE-së dhe Komisioni Evropian mbështesin qëndrimin e qeverisë italiane.
“Përsa i përket protokollit me Shqipërinë ju i kuptoni arsyet pse për momentin zbatimi i tij është pezulluar. Kjo çështje po shqyrtohet nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Shumica e shteteve anëtare të BE-së dhe Komisioni Evropian mbështesin qëndrimin e qeverisë italiane për këtë çështje. Në propozimin e presidentes së KE, Ursula von der Leyen për Këshillin Evropian, që mblidhet këtë fundjavë, thuhet se duhen hapur qendra pritjeje në shtete të treta jashtë BE-së, për shqyrtimin e kërkesave të azilkërkuesve.
Kjo nuk do të ndodhte nëse Italia nuk do të kishte kurajon që të inicionte protokollin me Shqipërinë. Me këtë kurajo ne u përcollëm të tjerëve në BE zgjidhje inovative për të përballuar së bashku flukset emigratore”, tha Meloni.
Meloni përmendi Protokollin Itali-Shqipëri, të cilin ajo tha se qeveria është e vendosur ta çojë përpara. Ajo theksoi se e konsiderojnë si një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm, gjithashtu për të harmonizuar praktikat e shteteve të ndryshme anëtare si dhe për të bërë veprimet e riatdhesimit të atyre që nuk janë të mirëpritur në Bashkimin Evropian.