“Do të marrim pjesë në Komisione”, PD tërhiqet nga bojkoti: Vendimet duhet të merren me konsensus

0

Partia Demokratike është tërhequr nga vendimi për bojkotin e Komisioneve Parlamentare, pas kundërshtimeve të disa deputetëve ndaj qëndrimit të kryedemokratit Sali Berisha.

Burime nga mbledhja e grupit parlamentar bëjnë me dije se deputetët Bledjon Nallbati, Xhelal Mziu, Oerd Bylykbashi, Ina Zhupa, Tritan Shehu dhe Arjan Ndoja janë shprehur se PD duhet të marrë pjesë në Komisionet për Reformën Zgjedhore dhe Reformën Territoriale, duke theksuar rëndësinë e vendimmarrjes me konsensus.

Pas mbledhjes me dyer të mbyllura, nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, deklaroi për mediat se opozita nuk do të bojkotojë Komisionet për Reformën Territoriale dhe Zgjedhore. Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për bashkëpunim politik me kryeministrin Edi Rama, por për pjesëmarrje në një komision të posaçëm dhe të rëndësishëm institucional.

Boçi shtoi se, sipas PD-së, më i rëndësishëm se këto komisione mbetet Këshilli i Mandateve dhe Rregullores, i cili, sipas tij, ka dështuar për shkak të mosmbledhjes nga ana e mazhorancës.

Edhe deputeti Bujar Leskaj kundërshtoi bojkotin, duke e cilësuar rishikimin e Reformës Administrativo-Territoriale si një domosdoshmëri. Ai deklaroi se reforma e vitit 2014, gjatë 12 viteve, nuk ka prodhuar rezultate pozitive për qeverisjen vendore dhe qytetarët, për shkak të defekteve të thella strukturore që nga faza e hartimit.

Deputetja Ina Zhupa u shpreh se pjesëmarrja e PD-së në komisione do ta vështirësojë punën e mazhorancës dhe se opozita duhet të përdorë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe intelektuale që ka, pa u kufizuar në një rrugë të vetme veprimi.

Gjatë mbledhjes, deputeti Bledjon Nallbati u shpreh kundër bojkotit, duke deklaruar se “jemi bërë si filmi ‘Dy herë mat’”.