Trajneri i Kukësit Skënder Gega ka dhënë dorëheqjen pas humbjes 4-1 me Partizanin.
Lajmin e bën të ditur vetë klubi kuksian përmes një postimi në Facebook-un e tij ku publikon edhe arsyet që e çuan teknikun tropojan të ndërmarrë këtë vendim.
Njoftim i klubit!
Futboll Klub Kukësi njofton se për shkak të rezultateve të fundit, trajneri Skënder Gega ka vendosur të japë dorëheqjen. Pas ndeshjes, trajneri i ka komunikuar klubit vendimin për dorëheqje dhe ky vendim është pranuar dhe është vënë në dijeni presidenti i nderit Safet Gjici.
Pas ndeshjes, trajneri ka takuar skuadrën dhe stafin teknik për t’u përshëndetur.
Klubi e falënderon Gegën për kontributin e dhënë dhe i uron shumë suksese në të ardhmen.
Trajneri Gega ka shpjeguar arsyet e largimit nëpërmjet këtij mesazhi:”Prej disa muajsh kam qenë në krye të pankinës së Kukësit.Edhe pse kam pasur mbështetjen, besimin dhe respektin nga të gjithë në situatën që ekipi po kalon në ndeshjet e fundit, marr përgjegjësitë dhe vendimin që të mos vazhdoj më në pozicionin e trajnerit.I kërkova klubit dhe presidentit Gjici të më mirëkuptojë për vendimin tim aspak të lehtë.JU LUTEM NUK KA VEND PËR ALUDIME !Jam ndjerë tepër i vlerësuar dhe i respektuar nga presidenti Gjici, nga i gjithë klubi, stafi, futbollistët dhe mbështetsit e Kukësit.Për mua ishte kënaqësi dhe eksperiencë shimë e mirë pavarësisht me vështirësite e fillimit.Jam i sigurt që Kukesi do të shkojë atje ku e meriton sepse është një grup shumë i mirë lojtarësh dhe ka mbështetje të madhe nga të gjithë tifozët e mrekullueshëm.Ju falënderoj të gjithëve për respektin dhe mbështetjen tuaj.Ju uroj të gjithëve shëndet dhe suksese. Me respekt S. Gega
Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, Gega fitoi betejën me Covid-19, ndërsa e le Kukësin në vendin e 4, në kuotën e 17 pikëve, 8 më pak se Vllaznia kryesuese.