GJERMANI – Në Dortmund u zhvillua ndeshja e parë e gjysmëfinales së dytë të Champions League mes Borusias së Dortmundit dhe Paris SG, dy skuadra që në këtë edicion të turneut më të madh të kontinentit për klube, janë përballur edhe dy herë të tjera në fazën e grupeve ku ndodheshin sëbashku.
Në këtë ndeshje të parë janë venadasit e Borussias ata që kanë arritur të fitojnë minimalisht me shifrat 1-0, një sukses që është i pari ky për skuadrën gjermane përballë francezëve të Luis Enriques pasi në dy ndeshjet e fazes së grupeve, njërën ndeshje e fitoi PSG me shifrat 2-0 dhe tjetra në “Signal Iduna Park” u mbyll në barazim 1-1.
Goli i vetëm i takimit u shënua që në minutën e 36-të nga Fylgruk dhe me shifrat 1-0 që u mbyll pjesa e pare dhe i gjithë takimi, pasi në 45 minutat e dyta asnjëra nga skuadrat nuk mundi të ndryshojë këtë shifër.
Një avantazh minimal ky për skuadrën gjermane e cila do të shkojë javën e ardhshme në Paris me një gol më tepër, por që gjithësesi, gjithçka mbetet për t’u luajtur se pavarësisht këtij goli asgjë nuk është e mbyllur, aq më tepër me një skuadër si Parisi i cili edhe në këtë fazë arriti me përmbysje rezultati, duke e bërë këtë përballë Barcelonës.