Dosjet e ish-sigurimit/ VOA: Shqipëria ende larg ndarjes me të shkuarën

0

Debati për dosjet e ish-sigurimit të shtetit u rihap, pas një shkrese dërguar parlamentit, pak kohë më parë, nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, ku thuhej se ish-presidenti Ilir Meta figuronte në dokumentet e krijuara nga ish-sigurimi.

Në Shqipëri debatet mbi të shkuarën komuniste vijojnë, edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 vite nga rënia e diktaturës. Historianët vërjenë se pengesat për zbardhjen e saj, kanë ardhur më së shumti nga politika, që sipas tyre, nuk ka qenë e interesuar për shkak të kompromentimit të mjaft figurave të saj në regjimin totalitar.

Debati për dosjet e ish-sigurimit të shtetit u rihap, pas një shkrese dërguar parlamentit, pak kohë më parë, nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, ku thuhej se ish-presidenti Ilir Meta figuronte në dokumentet e krijuara nga ish-sigurimi. Zoti Meta e mohoi kategorikisht një gjë të tillë, ndërsa shumica e majtë dhe opozita kanë paraqitur disa nisma ligjore në lidhje me dojset e ish-policisë sekrete të komunizmit, duke ndezur debat të ri për një çështje të vjetër.

Në Shqipëri edhe pse kanë kaluar mbi 3 dekada nga rrëzimi i regjimit komunist, ndarja me të shkuarën përbën sërish një sfidë për shoqërinë. Rasti më i fundit, ai i ish-presidentit të Repbulikës Ilir Meta, që sipas një shkrese dërguar kuvendit nga Autoriteti për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, figuron në dokumentat e krijuara nga ish-sigurimi, është shembulli më flagrant, që shoqëria shqiptare ende vazhdon të përballet në mënyrë të ashpër me të shkuarën, pa mundur ta zbardhë plotësisht dhe në mënyrë të besueshme atë. E nëse në mjaft vende ish-komuniste të bllokut të lindjes në Europë, ky proçes ka përparuar me sukses, në Shqipëri hijet e së kaluarës sipas historianëve, janë shfaqur në shumicën e rasteve si shantazh politik i njërës palë ndaj tjetrës.

“Jemi duke u marrë me atë që vetë sigurimi dhe politika e asaj kohe krijuan dhe vendosën si strukturë të vetën, shantazhin dhe kompromentimin. Ne akoma nuk po ndahemi nga këto vese të shoqërive totalitare edhe pse kanë kaluar 32 vjet. Kur flitet për dosjet, për hapjen e tyre dhe për elementët që kanë qenë pjesë e strukturës përkatëse më shumë flitet për të bërë shantazh, për mendimin tim, se sa për të bërë drejtësi”, tha për Zërin e Amerikës Gjon Boriçi, historian.

Drejtuesja e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë Jonila Godole, i tha Zërit të Amerikës, se ndarja më të shkuarën komuniste në Shqipëri, nuk u shoqërua me ndryshim të elitave, gjë që sipas saj e vështirësoi edhe më tej këtë proçes.

“Në Shqipëri nuk pati ndryshim të elitave në vitet 90, për fat të keq. Elitat e vjetra kaluan nga një regjimi komunist, në demokraci, duke marrë poste të rëndësishme. Po flas për elitat në politikë, në kulturë në akademi të shkencave etj. Ndaj dhe ato nuk kanë qenë të interesuara që të zbardhej në mënyrë objektive historia dhe e shkuara. Por nga ana tjetër, ka qenë dhe vetë shoqëria shqiptare, e cila nga bejeta për mbijetesë pas vitit 1990, nuk i dha prioritet të shkuarës duke menduar që e ardhmja do t’i kurojë vetë plagët, por në fakt kjo gjë nuk ndodhi”, u shpreh për Zërin e Amerikës Jonila Godole, Drjtuese e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë.

Në këto tre dekada në Shqipëri janë bërë disa përpjekje ligjore mbi pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë, por sipas studiuesve ato kanë qenë mekanizma që i kanë shërbyer më së shumti, partisë në pushtet, për të goditur kundërshtarët politikë, ose ata në rradhët e saj. Në vitet 1995 dhe 1997, u ngritën dy komisione për pastërtinë e figurës, që njihen si komisioni Mezini dhe Bezhani. Ato pajisën me çertifikatë pastërtie rreth 800 zyrtarë. Në vijim pati edhe disa përpjekje të tjera ligjore, por pa sukses, për të mbërritur tek ligji i vitit 2015, që sanksionon të drejtën e çdo të interesuari të informohet për dokumentat e ish-sigurimit të shtetit. Pranë këtij autoriteti, përveç shërbimit diplomatik, policisë dhe organeve të reja të drejtësisë, asnjë institucion tjetër nuk ka detyrim ligjor të kërkojë informacion për të zgjedhurit apo emëruarit e tij, nëse figurojnë ose jo të lidhur me sigurimin e shtetit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu