DURRËS- Kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani ka zhvilluar një bashkëbisedim me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës ditën e sotme. Gjatë bashkëbisedimit, Dumani ka folur në lidhje me karrierën e tij ndër vite, duke u fokusuar më shumë te drejtimi i SPAK.
Sipas Dumanit, vitet e fundit kanë qenë shumë intensive në punë e tij, por duke shtuar se ka refuzuar çdo ndërhyrje në punën e tij.
“Unë jam një prokuror si gjithë prokurorët e tjerë, të cilit iu dha mundësia në vitin 2022 të drejtoj këtë institucion. Ka qenë vërtet nder për mua ta drejtoj këtë institucion në këto 3 vite shumë intensive dhe të vrullshme. Unë kështu e kam ndërtuar karrierën time, që nga dita e parë që kam futur këmbët në sistemin e drejtësisë. Kam ushtruar detyrën gjithmonë i pavarur, kam refuzuar çdo ndërhyrje, nuk i kam dhënë mundësinë askujt të ndërhyjë në punën time. Kam respektuar bindjen time të brendshme dhe jam përpjekur t’i qëndroj besnik ligjit dhe provave”, tha Dumani.





