Pas dorëheqjes së Blendi Himçit nga posti i Kryetarit të Partisë Demokratike Dega Elbasan, detyra i është besuar Durim Cekrezit. Emërimi i tij u prit me besim dhe pritshmëri të larta për të çuar përpara vizionin e partisë në qytetin e Elbasanit.
Në një postim të publikuar nga z. Himçi, ai shpreh mirënjohje dhe mbështetje të plotë për pasardhësin e tij. Himçi vlerëson përkushtimin dhe profesionalizmin e Cekrezit, duke nënvizuar eksperiencën e tij si ish-kryetar i Komunës së Treganit dhe si një inxhinier me integritet dhe angazhim të gjatë në Partinë Demokratike.
“Si një profesionist me integritet dhe eksperiencë të suksesshme, ti ke dëshmuar gjithmonë përgjegjshmëri dhe vizion. Besoj plotësisht në aftësitë e tua dhe jam i bindur se PD Elbasan do të ecë përpara nën drejtimin tënd me forcë dhe stabilitet për të regjistruar një fitore madhështore me 11 maj,” thekson Himçi në mesazhin e tij.
Durim Cekrezi pritet të marrë drejtimin e PD Elbasan në një kohë sfidash dhe mundësish për rritje dhe konsolidim të partisë në qytet. Përkrahësit e tij besojnë se ai do të sjellë një frymë të re dhe të bashkuar në radhët e partisë, duke synuar suksese në zgjedhjet e ardhshme.