Emisioni “Fiks Fare” solli mbrëmjen e sotme rastin e një qytetari nga fshati Bardhaj i Kuçovës i cili për shkak të një faqeje në “TikTok”, ka shkuar deri në tentativë vetëvrasje.
Një 72-vjeçare e shqetësuar për gjendjen e djalit të saj tregon se atij i është hapur një faqe në TikTok, ku e tallin dhe e akuzojnë se ngacmon një 15 vjeçare.
“Djali im është i urtë, sheh punën e vet, askënd nuk ngacmon, i kanë hapur faqe në Tik Tok dhe unë e gjeta me litar në dorë që të shkonte dhe varte veten, por ju luta të mos e bënte” tregon e përlotur zonja Hava. Sipas saj djali është shumë i shqetësuar dhe rri gjithë kohën vetëm.
Ndërkohë djali edhe pse është 37 vjeç, denigrimi dhe akuzat që i bëhen nga kjo faqe i ka shkaktuar shumë shqetësim. “Jam shumë i shqetësuar, është imazhi im, unë kurrë s’kam ngacmuar të mitura, më marrin njerëzit në telefon dhe më thonë çfarë është kjo” thotë ai.
37- vjeçari pranon se e ka menduar vetëvrasjen, pasi për të kjo që i ka ndodhur është shumë e rëndë. “Unë e mendoj po sikur të isha baba dhe të ishte hapur një gjë e tillë, po nëse i hapet mbesës sime? Kjo është shumë e rëndë , ndaj dua të mbyllet” thotë ai.