Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy persona, D. M., 23 vjeç, dhe L. M., 21 vjeç, për vjedhjen e një varëseje floriri nga një grua që po ecte buzë Lanës. Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ndodhi më 15 gusht 2024, në Rrugën e Elbasanit, në mes të ditës.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur dy të rinjtë i afrohen viktimës dhe i heqin varësen nga qafa, përpara se të largohen me vrap. Pas marrjes së njoftimit për këtë vjedhje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 organizuan operacionin e koduar “Necklace” për të identifikuar dhe kapur autorët.
Falë veprimeve të shpejta hetimore nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1, u identifikuan dhe u ndaluan të dy të rinjtë, të cilët tani po përballen me akuzat për vjedhje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan varësja e vjedhur, një aparat celular dhe veshjet që këta shtetas kanë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes.