Hollivud – Të ashtuquajturit ekspertë kriminalistikë po bëjnë hamendësime të rënda, pasi aktori Randy Quaid shkroi në “X” se Gene Hackman dhe gruaja e tij, Betsy Arakawa u vranë, sikurse u vra Heath Ledger. Quaid, i cili është vëllai më i madh i aktorit të famshëm të Hollivudit, Dennis Quaid, është gjithashtu i njohur për nxjerrjen e teorive ndryshe, dhe i quajti Hackman dhe gruan e tij, viktima të vrasjes nga disa kriminelë.
I nominuar për një Oscar, si aktor dytësor në filmin “The Last Detail” të vitit 1973, Randy ka bërë më shumë tituj në vitet e fundit për problemet e tij ligjore sesa për karrierën e tij. Në rrjetet sociale, ai u kërkoi fansave që të ndalojnë së foluri për filmat e Hackman dhe në vend të kësaj të flasin për mënyrën sesi vriten njerëzit e famshëm. Në fakt ende nuk ka asnjë provë që Heath Ledger u vra.
Aktori australian I “Brokeback Mountain” dhe “The Dark Knight” vdiq në moshën 28-vjeçare nga një mbidozë e ilaçeve kundër dhimbjeve, pilula gjumi dhe ilaçe kundër ankthit. Spekulimet nga më të ndryshmet për misterin e vdekjes së dy herë fituesit të Oskar, Gene Hackman, vazhdojnë të qarkullojnë në internet. Ndërkohë, miku që u ka ndejtur pranë çiftit ditëve të fundit të tyre, Daniel Lenihan, tha se shëndeti i aktorit kohët e fundit ishte përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa Betsy ishte në formë perfekte.
“Ai ishte i mbyllur në shtëpi. Ajo përpiqej ta mbante sa më aktiv duke bërë puzzle, joga dhe thirrje për Zoom çdo ditë, por në dy muajt e fundit ai vërtet po humbiste”, tha Lenihan.