Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të vizitojë Shqipërinë javën e ardhshme për të riafirmuar lidhjet e saj me SHBA-në.
Lajmin e ka konfirmuar Departamenti amerikan i Shtetit, duke njoftuar se Blinken më pas do të marrë pjesë në një konferencë sigurie në Gjermani për të diskutuar mbështetjen e Ukrainës dhe përpjekjet për paqen në Lindjen e Mesme.
Në një deklaratë të premten, departamenti tha se Blinken do të vizitojë Shqipërinë, “një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, dhe Gjermaninë nga 14 shkurt deri më 17 shkurt”.
“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken do të udhëtojë në Tiranë, Shqipëri dhe Mynih, Gjermani, nga 14-17 shkurt. Në Tiranë, Sekretari Blinken do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i fortë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Në Mynih, Sekretari Blinken do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut si pjesë e delegacionit të SHBA-së të kryesuar nga Zëvendës Presidentja Kamala Harris. Sekretari do të zhvillojë takime dypalëshe për të nënvizuar mbështetjen e qëndrueshme të Shteteve të Bashkuara për popullin e Ukrainës, për të vazhduar diskutimet me partnerët se si të arrihet paqe dhe siguri e qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe për të theksuar angazhimin tonë të palëkundur për sigurinë transatlantike. Sekretari Blinken do të bashkohet gjithashtu me partnerët ndërkombëtarë për një forum publik mbi multilateralizmin”, thuhet në njoftimin e DASH.