KLOS- Trupi i pajetë i Jurgen Karajt, 30-vjeçari i cili u aksidentua dhe më pas u mor nga rrjedha e përroit është gjetur pas gati një muajsh kërkime. Trupi është gjetur 30 kilometra nga vendi ku ndodhi aksidenti. Makina në të cilën ndodhej Karaj dhe shoku i tij Andi Losha u aksidentua dhe përfundoi në përroin në fshatin Darsë të Klosit më 10 janar.
Që prej ditës kur ndodhi ngjarja kërkimet në rrjedhën e lumit Mat janë bërë pa ndërprerje ku çdo ditë në terren kanë qenë dhjetëra forca të Batalionit të Tretë të Repartit të Këmbësorisë Burrel, familjarë të Jurgenit e struktura të tjera.
Grupeve iu bashkuan edhe ekipe nga Kosova që ndihmuan me mjete dhe pajisje speciale. E gjithë vija lumore e lumit të Matit është kontrolluar disa herë, por nuk ishte e mundur të gjendej trupi i 30-vjeçarit apo ndonjë shenjë e tij.






