Dy autorë janë arrestuar në Gjirokastër pasi dyshohet se kanë hequr lirinë dhe kanosur një 53-vjeçar për t’i marrë para. Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur në një banesë të marrë me qira nga një prej autorëve.
Mësohet se viktima, P. S., u mbajt kundër vullnetit të tij nga shtetasit Lavdije Çaushi, 45 vjeçe dhe Edi Tafili, 38 vjeç, të cilët e kanosën për t’i kërkuar një shumë parash. Pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër reaguan menjëherë dhe arritën të identifikojnë dhe arrestojnë autorët.
Policia ka sekuestruar një shumë parash dhe dy celularë si prova të veprimeve të kryera. Çështja ka kaluar në duar të Prokurorisë për hetime të mëtejshme.
NJOFTIMI:
I hoqën lirinë një 53-vjeçari dhe e kanosën për t’i marrë një shumë parash, falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, identifikohen dhe arrestohen 2 autorët e dyshuar.
Sekuestrohen një shumë parash dhe 2 celularë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, pas njoftimit se 2 shtetas i kishin hequr lirinë, një 53-vjeçari, duke e mbajtur kundër vullnetit të tij si dhe e kishin kanosur me qëllim dhënien e një shume parash, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen dhe vënien e autorëve të dyshuar përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të specialistëve për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, janë identifikuar, kapur dhe arrestuar autorët e dyshuar, shtetasit:
– L. Ç., 45 vjeçe, banuese në Gjirokastër dhe E. T., 38 vjeç, banues në Krahës, Memaliaj për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, për motive të dobëta, kanë mbajtur në banesën e marrë me qira nga 45-vjeçarja, shtetasin P. S., 53 vjeç, duke i hequr lirinë atij, si dhe e kanë kanosur për dhënie pasurie.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.