Një 63-vjeçare është gjetur e pajetë brenda një kanali në Kuçovë. Fatime Suli, është gjetur pa shenja jete afër një plantacioni me sera në lagjen “Havaleas” në fshatin Kozare, ndërkohë që familjarët e kërkonin prej disa orësh.
Mësohet se familjarët kishin disa orë që e kërkonin dhe kishin kërkuar më pas ndihmën e Policisë, por pas 1 orë kishin gjetur 63-vjeçaren të vdekur vetëm 1 kilometër larg banesës së saj. Paraprakisht bëhet me dije se Suli ishte gjetur e zhveshur nga mesi e poshtë dhe e mbuluar me gjethe e rrozga domatesh. Çka ngre dyshimet se mund të jetë vrarë dhe më pas fshehur në kanal.
Për të caktuar shkakun e vdekjes, kufoma e Fatime Sulit është transportuar drejt Morgut të Spitalit Rajonal të Beratit, ku pritet edhe kryerja e autopsisë mjeko-ligjore, që do të përcaktojë shkaqet e vdekjes së saj. Ndërkohë që gjithashtu bëhet me dije se e ndjera njihej në zonë si një person me probleme të shëndetit mendor dhe shpesh herë konfliktohej edhe më banorët e tjerë të zonës.