Edy Reja nuk ndryshon nga shtatori, përvijohet formacioni ndaj Hungarisë

0

Në ndeshjen ndaj Hungarisë nuk priten ndryshime nga formacioni që ka përdorur trajneri Reja në ndeshjet e shtatorit. Riaftësimi i mbrojtësit Ardian Ismajli ia ka thjeshtësuar gjërat, duke konfirmuar kështu pesë lojtarët që janë aktivizuar si titullarë në prapavijë edhe në takimet e fundit.

Konkretisht Elseid Hysajn në të djathtë dhe Lorenc Trashi në të majtë, ndërsa treshja e qendrës me Ismajlin, Kumbullën dhe Gjimshitin. Skema fillestare 3-5-2 praktikisht është një 5-3-2 kur skuadra mbron. Duket se shanset për Ivan Balliun titullar në krahun e djathtë dhe spostimin e Hysajt në të majtë janë zvogëluar, pasi Reja i beson më tepër Trashit.

Në mesfushë, aty ku mungojnë për dëmtime Amir Abrashi dhe Qazim Laçi, janë të sigurt për ta nisur nga minuta e parë Klaus Gjasula dhe Keidi Bare. Afër tyre, por i spostuar disi në të majtë, do të jetë Nedim Bajrami. Me skemën që do të luajnë kuqezinjtë kundër Hungarisë, fantazisti i Empolit nuk do të jetë në pozicionin e tij të mirëfilltë.

Ndërkohë, dyshja e sulmit, aty ku lufta për një vend titullari është më e fortë, do të përbëhet nga Sokol Cikalleshi dhe Rey Manaj. Të paktën kjo është ajo që trajneri ka provuar në seancat e fundit. Bekim Balaj është dëmtuar dhe do të shihet nëse ai do të jetë pjesë e grupit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu