Nga Fatos Salliu
Erika Murra
Intervista e plotë:
Gazetari: Situatë kaotike në Kuvend. Përse kështu?
Dash Sula: Me sinqeritetin më të madh, do ju shpjegoj të gjithë teleshikuesve të platformës suaj që mos mendojnë që ne jemi rehat në situatën e cila është krijuar në Kuvendin e Shqipërisë, duke filluar nga mua personalisht edhe të gjithë kolegët e mi të opozitës, por politika, unë e kam thënë shumë shpesh që në Shqipëri nuk ka ardhur drejt përmirësimit, por drejt degradimit.
Ka ardhur drejt degradimit dhe për shkak të kulteve të individit, të cilët e kanë udhëhequr politikën shqiptare përgjatë këtyre tridhjetë e tre viteve në të cilët vjen një moment i caktuar, dikton gjithçka në agjendën politike të mazhorancës dhe të opozitës dhe të gjithë parlamentit shqiptar.
Ne me të vërtetë jemi një Republikë parlamentare sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, por faktikisht ne jemi në një Republikë kryeministrore.
Gjithmonë e më shumë ka kompetenca dhe fatkeqësisht në parlament është kthyer në një noter të certifikimit të projektligjeve, të cilët vijnë nga Komisioni i Ligjeve apo propozime që vijnë nga Qeveria e akteve ë gjyqësore.
Gazetari: Konkretisht, pse është krijuar?
Dash Sula: Pikërisht pra. Unë do të sqaroj situatën për të gjithë teleshikuesit tuaj.
Dhe po ju shpjegoj që deri në datën 5 tetor të vitit 2023 situata në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë për dy vite ka qenë tepër normale në aspektin e komunikimit formal po themi, pavarësisht nga përmbajtjet e thelbësore, si funksionon parlamenti.
Por, fatkeqësisht kjo ka të bëjë më shumë për shkak edhe të situatës në të cilën ndodhet opozita, duke pasur parasysh përçarjen edhe konfliktin mes vetit.
Situata e krijuar ka dashur të intimidojë individë apo grupi të caktuar të opozitës, por unë e kam thënë dhe publikisht dhe unë që jam pranë grupit opozitar të zotit Bardhi dhe të gjithë opozitës nuk më komplekson absolutisht që qenia e zotit Berisha, si një person i cili ka atë problematikë të nongratës apo të mos pëlqimit të faktorit ndërkombëtar.
Arsyeja është e thjeshtë. Atëherë, unë kam qasje tjetër, zoti Berisha, qoftë në qëndrimet e mia, për sa i përket drejtimit të partisë pa diskutim, por po flasim edhe në në raport me drejtësinë, apo me organizmat e tjerë.
Por, në raport me drejtësinë, unë mendoj që është fati më i madh i Shqipërisë kjo strukturë e posaçme, e cila nuk pretendoj që t’i jap notën dhjetë, por rruga për mua është e ndritur, në kuptimin që thashë qysh në fillim, që politika nuk ka përmirësim të rregullojë veten apo të përmirësohet.
Nga pikëpamja politike dhe ripërtëritjes së aktorëve politikë në Shqipëri, ka ardhur drejt kultit të individit.
Dhe tani do të duhen mjete të tjera, siç drejtësia u pastrua nëpërmjet reformës tani nga ardhur momenti që drejtësia të ndikojë te politika dhe do të thosha pastrimin e kenetës korruptive politike të tridhjetë viteve të fundit.
Ju mund të thoni që po e përdor për retorikë politike këtë. Jo!
Unë po them sepse po të marr gjithë indikatorët qoftë nga perceptimi qytetar apo nga çdo raport ndërkombëtar atë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, OKB-së, atë Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe të gjithë, Shqipërinë e radhisin në një vend me prioritet dhe demokraci shumë të cunguar dhe me një niveli korrupsioni galopant që do të thotë që kjo çfarë unë them gjithmonë gjithçka derivon nga politika.
Nëse ke një politikë, ke një Kryeministër, një qeveri, e cila sillet në mënyrë të përgjegjshme dhe do të thosha sepse nuk do të zhduket korrupsioni, po qe e ul në minimum, e kanë një luftë serioze ndaj korrupsionit, sigurisht do të ishte më e mirë edhe shoqëria shqiptare. Por faktikisht kjo nuk ekziston.
Ka mazhorancë, por ka edhe opozitë dhe opozita është pjesë e mozaikut të sistemit demokratik, që do të thotë je i detyruar që të bashkëjetojmë me mazhorancën, por edhe mazhoranca është e detyruar të bashkëjetojë dhe të bashkëpunojë me opozitën.
Mos harrojmë që janë bërë reforma shumë të forta, mos harrojmë që ka patur marrëdhënie shumë të mira dhe po ju them që edhe në momentin që u liberalizuan vizat, hyrjes në NATO apo organizmat ndërkombëtarë kanë qenë të pranishëm përfaqësues të opozitës.
Tani të kthehemi te komisionet hetimor, këtu ka filluar debati. E sipas kërkesës së një të katërtës së numrit të deputetëve të pakicës parlamentare, duhet të niste bashkëpunimi.
Komisionet hetimore kanë për synim përmirësimin e punës së qeverisë dhe mazhoranca e ka për detyrë të respektojë opozitën. Por mazhorancës nuk i intereson kjo situatë.
Gazetari: Ju i keni ndërmarrë këto hapa ndërkohë që kanë filluar penalitetet
Dash Sula: Detyra e opozitës është të kontrollojë ose ti bëhet barriere mazhorancës që të kenë një ekuilibër qeverisje të përgjegjshme. Nëse ne nuk e realizojmë këtë qëllim, për çfarë jemi në parlament.
Për shkak të praktikës së komisionit parlamentar të inceneratorit duke filluar nga inceneratori i Elbasanit që qe i pari që u hetua dhe doli që ishte një skemë e mirëfilltë abuzimi, korrupsioni apo piramidale që përfitonin para dhe që ndaheshin, sot kemi vendime nga Gjykata e Shkallës se Parë të cilat janë të konfirmuara me gjithçka.
Mund të marrim shembullin e AZHBR-së ku shteti shqiptar ka abuzuar 2/3 e 57 milion eurove.
Gazetari: Do të thuash që e kanë bërë qëllimisht?
Dash Sula: Po ju garantoj që AZHBR-ja është një minierë e abuzuar ku nuk kanë shkuar paratë për bujqësinë dhe blegtorinë por për pallate dhe gjëra të tjera. Dhe po ju them një fakt i cili është domethënës 410 mijë euro për tre serat e inceneratorit të Tiranës janë dhënë nga AZHBR-ja.
Gazetari: Çfarë do bëni?
Dash Sula: Nga dita e hënë do të vazhdojë e njëjta situatë e ndërtimit të kërkesave tona si opozitë për ngritjen e komisioneve hetimore.
Gazetari: Ndoshta duhet ndonjë rrugë tjetër për ta tejkaluar ngërçin sepse Rama nuk ka ndërmend të lëshoj pe?
Dash Sula: Fatos, ose ne te mbyllim gojën dhe të marrim rrogën e të shkojmë në shtëpi, ti lëpihemi qeverisë, ose të bëjmë opozitë.
Opozita është një luftë me shumë beteja derisa të arrijmë aty ku duam. Ne po kërkojmë që të përmbushim detyrën tonë kushtetuese si opozitë, kaq po kërkojmë, asgjë tjetër.
Para pak kohësh më tërhoqi vëmendje një shprehje e zotit Rama në Lezhë që thoshte “ Skllevërit do vijnë nga rruga e zotit Berisha në Parlament për pallë të luanit”, kjo është një bullizim, një fyerje që i bëhet opozitës, por kjo është e turpshme.
Këto janë të pangopur për pushtet, për pasuri.
Gazetari: Gjykata tashmë ka vendosur për liderin historik Sali Berishën që të jetë në “arrest shtëpie” ndërkohë që poshtë shtëpisë së tij zhvillohen pothuajse çdo ditë protesta. Çfarë nënkupton kjo dhe çfarë zgjidhje do ketë?
Dash Sula: Unë mendoj që bëjnë shumë mirë që e mbështesin dhe i japin kurajë sepse shikojnë një padrejtësi, kjo do të thotë që ne duhet të bëjmë opozitë dhe unë mendoj që nuk zgjidhet problemi dukë protestuar vetëm poshtë shtëpisë së zotit Berisha por zoti Berisha duhet ti orientojë të gjithë mbështetësit e tij, të gjithë demokratët që të shkojnë të bëjnë opozitë kudo që janë, në fshat, në lagje, në çdo vend tjetër, kjo është rruga.
Gazetari: Këto ditë po diskutohet çështja e krijimit të konfederatës së opozitës me sa jam informuar. Çfarë është kjo nismë?
Dash Sula: Unë përpara 6 muajsh kam qenë një ndër personat qe kam artikuluar që do duhet patjetër të mos shikohet opozita thjesht për shkak të individëve po të një trupe opozitare dhe ne të kemi një ofertë të re, e të bëhemi alternativë si opozitë vullnetare shqiptare.
Për mendimin tim do ishte një risi dhe diçka shumë e mirë. E njëjta gjë do të ishte që kjo konfederatë të mos kishte kryetar por të kishte një trupë prej 3 personash dhe secili të kishte pjesën e vetë rreth kësaj federate.
Kjo federatë dhe kjo opozitë duhet të përmblidhet rreth parimeve dhe jo çështjeve të individëve duke ftuar këdo person që e ndjen veten opozitar dhe që bën opozitë.
Gazetari: Ajo që po kuptoj është se krijimi i këtij organizimi e përjashton Berishë edhe Bashën?
Dash Sula: Nga pikëpamja thelbësore nuk ka individ sepse nuk është vetë Sali Berisha. Zoti Berisha është pjesë e opozitës ka më shumë opozitar se të tjerët, edhe zoti Basha apo zoti Mediu dhe kushdo kanë opozitar. Pra do të duhet që të gjithë këto të jenë bashkë.
Gazetari: A ka konsensus për momentin?
Dash Sula : Ne nuk duhet të shkojmë drejt asaj që ka moskonsensus por ne duhet të shkojmë drejt konsensusit.
Gazetari: Me situatën e krijuar a mendon se duhet të ulet Berisha , Basha, Bardhi, në një tryezë.
Dash Sula: Zoti Salliu politika është gjithmonë arti i të pamundurës që do të thotë kurrë mos thuaj kurrë. Nëse ti nuk ke imazhin tënd apo mesazhin që do ti japësh mbështetësve të tu dhe shoqërisë shqiptare që ti je alternativë e besueshme për të fituar, nuk bëhesh dot alternativë duke u konfliktuar me njëri tjetrin.
Gazetari: Pra ju personalisht jeni për këtë alternativë?
Dash Sula: Padiskutim, 100% pa pasur asnjëlloj pengese dhe asnjëlloj paragjykimi për asnjë.
Gazetari: Do pritet krijimi i kësaj konfederate që të vazhdoj aksioni politik apo do vazhdoni si PD?
Dash Sula: Unë mendoj që opozita nuk do të reshtë asnjë ditë. Unë si politikan kështu e konceptoj madje kolegët e mi që janë aty të cilët nuk përfshihen fuqishëm në politikë bëjnë gabim sepse detyra e parë e një politikani apo një opozitari është që çdo ditë të prodhojë politikë, aq sa di të prodhojë. Mjafton që unë të jam kontributin si opozitar në çdo moment.
Gazetari: Sa rëndësi ka reforma zgjedhore?
Dash Sula: Reforma zgjedhore është jetike për zgjedhjet e 2025. Ka ardhur momenti që të gjithë emigrantë shqiptarë kudo që ndodhen duhet të votojnë të vendosin fatin e Shqipërisë sepse Shqipëria nuk i përket as Sali Berishës personalisht as Edi Ramës.
Gazetari: Për ta ç’tensionuar pak bisedën. Cili është fruti apo perimja që do shkosh në kuvend?
Dash Sula: Po, unë shkova atë ditë me qepë dhe me bluzën e një mjeku për të ti treguar që ne nuk jemi këtu për Sali Berishën, ne këtu jemi për komisione hetimore, AZHBR-në dhe shumë gjëra, pra ishte simbolika. Pra të mos lejosh deputetin të hyjë në vendin e punës për të përmbushur detyrën duke penguar me gardë, kam qëndruar 20 minuta aty dhe ju thoja “do na lejoni sepse do bëj një gjest për t’ju treguar të gjithë shqiptarëve që këtu duhet të hypësh mbi kokat tuaja që të futesh në vendin e punës” dhe kjo ishte gjithë simbolika dhe mendoj që do ketë edhe simbolika të tjera.
Gazetari: Të falenderoj për bisedën dhe uroj që të bëni më të mirën për qytetarët shqiptarë.
Dash Sula: Kënaqësi që isha në platformën tuaj.