Përgjegjësia e sulmeve kibernetike në vendin tonë tashmë i është faturuar shtetit islamik të Iranit, duke çuar në prishjen e marrëdhënieve diplomatike me këtë vend nga qeveria jonë.
Megjithatë, një deklaratë e fortë u bë nga eksperti i sigurisë në Kosovë, Bedri Elezi, i cili tha se inteligjenca iraniane është mbështetur nga anëtarë të Komunitetit Mysliman në Shqipëri për të kryer këto sulme.
Për të folur më shumë për këto deklarata, eksperti Elezi ishte i ftuar sot në emisionin “Zona Zero”, me moderator Thimi Samarxhiu, së bashku me ekspertin nga Shqipëria, Ergys Muzhaqi.
Eksperti Bedri Elezi i mëshoi deklaratës së tij, ndërsa shtoi se ka fakte dhe dokumente të cilat ëhstë i gatshëm t’i tregojë, por jo mediatikisht pasi janë të dhëna sensitive.
“Sigurisht e kemi parasysh rëndësinë e deklaratës. Ka të bëjë me sigurinë rajonale. Jam i gatshëm në funksion të çdo institucioni që do të hetojë për çështjen të bëj publike të dhëna, dokumente që nuk janë për t’u ndarë me publikun. Unë nuk kam lidhje me personat që udhëheqin KMSH, kemi arritur të sigurojmë informacione që fatkeqësisht tregojnë se është shfrytëzuar infrastruktura për veprime spiunazhi. Është një lloj detyrë ligjore për të vendosur alarmin atëherë kur duhet, që institucionet të veprojnë. Ne si institucion sigurie do të kërkojnë veprimtaritë ligjore.
Nuk i kemi sot këto informacione, janë në vazhdimësi është bërë një sulm konkret dhe erdhi rasti për t’i shfaqur. Inteligjenca shqiptare e di se për çfarë bëhet fjalë. Kjo është kërkesë për bashkëpunim, u kërkova që të bashkëpunojmë për të identifikuar këto burime dhe për të siguruar provat për të vendosur përgjegjës personat që kanë pasur bashkëpunim.” Deklaroi ai.