DURRËS- Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për anijet me 800 ton mbetje toksike që janë nisur nga Porti i Durrësit për në Tajlandë dhe në Kinë. Mësohet se prokuroria hetimet i ka nisur për veprën penale ‘Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara’. Në njoftimin e Prokurorisë bëhet me dije se po kryhen veprime hetimore intensive në bashkëpunim me Zyrën Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF) dhe institucionet ligjzbatuese shqiptare e partnerët ndërkombëtarë, për të sqaruar në mënyrë të shpejtë dhe të plotë të gjitha rrethanat e ngjarjes.
Njoftimi i Prokurorisë së Durrësit:
Prokuroria e Durrësit nis hetimet për Veprën Penale “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara” mbi ngarkesën e nisur nga Porti i Durrësit. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka regjistruar procedimin penal nr.1596, datë 16.08.2024, mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për veprën penale “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, parashikuar nga neni 171 i K.Penal në lidhje me një ngarkesë të nisur nga Porti i Durrësit.
Gjithashtu në këtë institucion, është referuar materiali hetimor nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, për veprën penale “Transportimi i mbetjeve”, parashikuar nga neni 201/b i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ku referohen informacione të marra nga media në lidhje me këtë ngarkesë për të cilën dyshohet se ka mbetje toksike.
Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës bën me dije, se po kryhen veprime hetimore intensive në bashkëpunim me Zyrën Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF) dhe institucionet ligjzbatuese shqiptare e partnerët ndërkombëtarë, për të sqaruar në mënyrë të shpejtë dhe të plotë të gjitha rrethanat e ngjarjes.
Alarmi për transportin e mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria u dha nga Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN), një organizatë eksperte në çështjet e drejtësisë mjedisore, e cila e ka marrë emrin nga Konventa e Bazelit e vitit 1989, ku përcaktohen kufizime të qarta për tregtimin e mbetjeve të rrezikshme. Ngarkesa mësohet të ketë zanafillën tek mbetjet e krijuara gjatë proceseve teknologjike nga aktiviteti i Kompanisë turke Kurum në zonën e ish kombinatit metalurgjik në Elbasan.
Dyshimet janë që transporti të jetë kryer nën dokumenta te falsifikuara si mbetje jo të rrezikshme. Ato janë shkarkuar në Terminalin e mallrave rifuxho në portin e Durrësit duke u ngarkuar më pas në konteinerë. Ndalesa e parë ka qenë fillimisht në portin e Triestes në Itali, ku kontenierët janë ngarkuar në anije të tjera, me destinacion Tajlandën.