Ekstradimi i Dritan Rexhepit, kryepolici Proda takon ambasadorin e Turqisë: Bashkëpunim për goditjen e krimit dhe kapjen e të kërkuarve

0

Një ditë pas ekstradimit nga Turqia të të shtetasit të shumëkërkuar Dritan Rexhepi, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda takoi ambasadorin e Turqisë, Tayyar Kağan Atay.

Bashkëpunimi për goditjen e veprimtarive kriminale dhe kapjen e shtetasve në kërkim, ishte në fokus të takimit mes tyre.

Proda falënderoi ambasadorin turk për bashkëpunimin me homologët turq, për kapjen në Turqi, të Dritan Rexhepit dhe ekstradimin e tij në Shqipëri.

“Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese të Republikës së Turqisë ka një bazë solide, sepse mbështetet në marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. Falënderoj Policinë e Turqisë, për kontributin e vlefshëm që ka dhënë për Policinë e Shtetit, si në aspektin logjistik, ashtu edhe në atë të trajnimeve të punonjësve të Policisë shqiptare. Policia e Shtetit është e hapur për zgjerimin e bashkëpunimit, për të krijuar ekipe të përbashkëta hetimore, duke shkëmbyer informacione dhe zhvilluar operacione të përbashkëta, si dhe për të zhvilluar vizita në të dyja vendet, për shkëmbimin e eksperiencave”.  

Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Tayyar Kağan Atay ka vlerësuar bashkëpunimin mes agjencive ligjzbatuese të Republikës së Turqisë dhe Policisë së Shtetit shqiptar dhe garantoi Prodën se ambasada e Turqisë në Tiranë është e angazhuar maksimalisht për forcimin e këtij bashkëpunimi dhe për ofrimin e mundësive të reja për punonjësit e Policisë shqiptare, nga Policia turke.