Vrasja e Behar Sofisë vijon të rrethohet me mister, ndërsa të dhënat nga grupi hetimor dhe prokuroria thonë se hetimet për momentin janë duke u përqenduar te motivet banale. Edhe pse Behar Sofia është një personazh i njohur i botës së krimit në vendin tonë, i arrestuar dhe në Turqi për trafik heroine, sipas Policisë dhe Prokurorisë vrasja e tij nuk është kryer nga vrasës profesionist, në ndryshim nga sa u tha gjatë ditës së djeshme.
Burime bëjnë me dije se kamerat e sigurisë e kanë fiksuar vrasësin në disa momente, ai dyshohet të jetë rreth 35-vjeç, ndërsa në momentin kur ka ndjekur Sofinë nga banesa e tij deri te vendi i ekzekutimit ka qenë i maskuar me maskë kirurgjikale dhe me kapuç, gjë që vështirëson identifikimin e tij.
Mësohet se ndryshe nga sa u tha fillimisht se në ekzekutimin e biznesmenit kanë marrë pjesë 2 ose më shumë persona, burimet nga prokuroria saktësojnë se vrasësi ka qenë i vetëm, dhe është larguar në drejtim të Rrugës së Elbasanit, me një biçikletë të cilën e kishte lidhur më parë pranë vendit ku po priste biznesmenin Sofia.
Prokuroria thotë se ka indicie se vrasësi nuk ka qenë profesionist, referuar mënyrës sesi ai ka qëlluar në drejtim të 66-vjeçarit, pasi plumbi e ka prekur fillimisht në kofshë. Sipas burimeve dyshohet se vdekja është shkaktuar si pasojë e çarjes së aortës, dhe gjakderdhjes, pasi dhe koha kur Sofia është dërguar për në spital ka qenë paksa e vonë.
Dy janë pistat e tjera ku po heton policia, përveç asaj për motive banale. E para lidhet me trafikun e drogës, ku Sofia bashkë me një prej vëllezërve të tij dyshohet se ka qenë i përfshirë, dhe tjera për shkak të një borxhi të papaguar që biznesmeni i kishte një personi tjetër.
Sipas burimeve, prokuroria e ka të vështirë që të identifikojë të gjitha rastet e dyshuara ku Sofia ka qenë i implikuar në krime, për shkak se ai ka përdorur shumë identitete, dhe ka ngjashmëri shynë të madhe me një prej vëllezërve te tij.
Familjarët e Sofisë kanë dhënë vetëm një dëshmi paraprake në Polici, ku kanë thënë se 66-vjeçari me origjinë nga Berati nuk ka pasur konflikte, dhe se mëngjesit e djeshëm ishte larguar nga shtëpia ër të konsumuar kafe.
“Behari doli të pinte kafe, do blinte diçka dhe më pas do të kthehej në shtëpi. Nuk kishte lënë takim me askënd”, janë shprehur familjarët e biznesmenit.
Nga kqyrja paraprake e telefonit të tij nuk janë evidentuar telefonata apo mesazhe me persona të dyshimtë. Derimë tani në Polici janë shoqëruar për të dhënë dëshmitë e tyre 10 persona, të afërm dhe familjarë të Sofisë, ndërkohë që nuk ka asnjë gjurmë nga autorët e atentatit mafioz.
Familjarët e biznesmenit pritet që të merren sërish në pyetje, pasi të përcjellin për në banesën e fundit Sofinë, ndërkohë që Policia nuk ka asnjë të dyshuar për autor, edhe pse pamjet filmike kanë qenë të shumta.