AFRIM IMAJ/ Mënyra si e ka memorizuar Nikoll Melyshi, babai i Pal Melyshit, njërit prej heronjve të heshtur të Sigurimit të Shtetit, historinë e gjysmës së dytë të shekullit XX, është sa e veçantë, aq dhe interesante.
Trajektorja dramatike e jetës së tij, e nisur me karrierën e oficerit të ushtrisë kombëtare dhe kontributin e nacionalistit të orëve të para, me rreshtimin mandej në radhët e Brigadës së Shtatë partizane për t’u përmbyllur me reagimin antikomunist në gjirin e diasporës, që nuk rreshti përpjekjet ndaj regjimit të Enver Hoxhës, i ka kushtëzuar atij një profil të tillë.
Melyshi është nga dëshmitarët e vijës së parë të rezistencës kundër pushtimit fashist dhe ka fiksuar në kujtesë fakte konkrete për tradhtinë e eprorëve të lartë të ushtrisë kombëtare. Sakaq, për 30 ditë me radhë ka luftuar përkrah me partizanët deri në Vishegrad të Jugosllavisë, ku veç heroizmit të tyre, ka qenë dëshmitarë i dhjetëra dramave e prapaskenave të komanduesve politikë, në zbatim të porosive të emisarëve serbë. Po kaq tronditëse janë kujtimet e tij për historinë e vrasjes së Bardhok Bibës dhe shpagimit të përgjakshëm të regjimit që vrau 14 mirditorë të pafajshëm në këmbim të ekzekutorëve të vërtetë dhe internoi mbi 500 familje të thjeshta në kampet e përqendrimit. Sot publikojmë një pjesë të rrëfimit të Nikoll Mylyshit, që nis me ngjarjen e kobshme të 7 gushtit ‘49…
SI U VRA BARDHOK BIBA
Në natën e 6 gushtit 1949 u mblodhën bashkë 53 luftëtarë, në pikën e caktueme, “Shqopa e Munegjës-Mirditë”. Në datën 7 gusht 1949, në orët e mëngjesit, nënkomandanti krahinor i Mirditës merr një lajm: Bardhok Biba atë ditë do të kalonte prej katundit Simon për në Shen PalMirditë! Informata e lajmëtarit qe ekzakte. Bardhoku kishte qenë me mbajt një konferencë në Kaçinar, prej andej udhëtonte me 30 policë roje për Simon, Peshqesh, Shen Pal.
Nënkomandanti i Mirditës, që u ndodh në Shqopen e Munegjës, menjëherë mori një vendim dhe pa humbur kohë dërgoi organin e Shpagimit, me i vu pritat në përrue të Valmirit. Organi i Shpagimit zbatoi urdhrin: Vrau Bardhokun dhe pranë kufomës i la letër-vendimin me firmën e kryetarit të nënkomitetit krahinor të Mirditës. Bardhoku u vra në orën dy të pasdites së 7 gushtit 1949 dhe ky grup me 53 veta, mbasi bëri këtë aksion, u nis fill për në Jugosllavi. Më datën 17 gusht 1949 kalojnë kufirin pa dam dhe hyjnë në Jugosllavi.
Bashke me Bardhokun u plagosën dhe dy policë vendas, që mobilizonin popullin si punëtorë për me i dërgue me punë të detyrueshme. Mbas datës 17 gusht 1949, në krahinën tonë tue përfshi Mirditë, Këthellë, Kurbi dhe Lezhë, si çeta qëndresa mbetën të pakta. Në Kthellë qëndroshin vetëm Preng Dod Gjini dhe Gjin Kros Buna me dy grupe luftëtarësh. Në Mirditë, Llesh Marka Tuci dhe Llesh Kolziu me dy grupe luftëtarësh. Në Kurbin, Ndue Lalaj me vllaznit dhe Bardhok Nderu me dy grupe luftëtarësh. Në Lezhë, Gjok Dod Përbrunga me një grup luftëtarësh.
KUSH ISHTE BARDHOK BIBA
Bardhok Biba rrjedh prej një fisi të largët të kapedanëve të Mirditës. Pati fillu shkollën e mesme në gjimnazin e Shkodrës dhe më vonë me ndërmjetësinë e kapedan Gjon Marka Gjonit është pranue në shkollën teknike të Tiranës. Pikërisht aty u filtrue për herë të parë me doktrinën komuniste. Në moshën 28-vjeçare u lidh mirë me komunistët e Tiranës dhe u bë komunist i betum. Kur u pushtua Shqipëria nga fashizmi, qarkullonte nëpër katunde tue u përpjek me propagandue idetë komuniste në popull. Kjo punë padyshim që ra në sytë e autoriteteve vendore.
Ato e kishin në dorë me e kap e me e zhdukë nga jeta, por prapë e kanë lënë se asht fis i kapedanit. Kështu, Bardhok Biba përfitoi prej rasteve dhe e vazhdoi punën e vet si komunist. Kur Mehmet Shehu hyni në zonë me partizanët e tij, u thotë këtyne në formë ceremoniale se Bardhoku është kushëri i kapedanit të Mirditës. Kur hyni komunizmi në Mirditë, Bardhoku u paraqit si njeri më i madh i asaj krahine. Në fakt, ai ka pasur disa cilësi të veçanta: Në popull gjithnjë paraqitej gjakftohtë, tregohej i urtë, i ambël në bisedë dhe shumë i sigurt për çka thoshte. Ishte i squt, miklus dhe punët i bënte të mbulime. Bardhoku kryesonte nënprefekturën e Shën Palit të Mirditës dhe kishte fuqi ushtarake të shumta në dispozicion, të cilat ia kishte dhënë vetë Mehmet Shehu për ekzekutimin e urdhrave të tij. Ai u bë deputet i Kuvendit Popullor dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë…
OPERACIONI PËR HAKMARRJE
Qeveria komuniste e Tiranës tue marr si shkak hakmarrjen e Bardhok Bibës, dërgoi reparte të forta ushtarake për me bë një operacion me stil të gjerë në Mirditë, vetëm e vetëm për me ba hata në atë popull kreshnik. Në operacion mori pjesë Divizioni i Parë që ishte në qendër (fushim) në Qafë Shtamë dhe që komandohej nga kolonel Rido Cako nga Korça si dhe Brigada Speciale që ishte vendosur në Mirditë, e cila komandohej nga majori L. Bolena. Në krye të operacionit ishte vetë Mehmet Shehu bashkë me Kadri Hazbiun. Në operacion kanë marrë pjesë dy kolonelë sovjetikë: Sakolovaski dhe Faloskini.
Ngjarjet e zeza të atyre ditëve janë këto: Kanë arrestu në masë popullin e Mirditës e të Kthellës, më tepër se 500 burra, kanë internua gra e fëmijë nëpër kampet e përqendrimit në Tepelenë e Lushnjë më tepër se 300 familje. Katërqind burra i kanë nis për në burgjet terrore të Shkodrës. 100 të tjerë janë dënu me burgime të gjata. Më 18 gusht janë ekzekutu në vendin ku u vra Bardhok Biba, pa i gjyku aspak 14 persona të pafajshëm: Llesh Melyshi, Nikoll Bardhok Bajraktari, Bardhok Dod Lleshaj, Gjergj Keq Beleshi, Dod Marka Biba nga Kthella. Ded Preng Gjomarkaj, Nikoll Llesh Nikolli, Preng Shkurti, Gjin Kaçi, Ndoc Gjet Palaj, Frrok Mata, Marka Ndrec Marku, Ded Paloka dhe Zef Vila nga Mirdita. Prej këtyre katër janë vjerr në konop, po në vendin ku asht vra Bardhok Biba dhe po aty 10 të tjerë janë pushkatu të lidhun me konop.
Si i pushkatun me urdhër të Mehmet Shehut i hodhën të gjithë në një gropë, kur ende ishin gjysmë gjallë e pa u dalë shpirti. Në ekzekutimin e këtyne kanë mbledh popullin, burra e gra, më tepër se 2000 vetë nga Kthella e Mirdita dhe para tyne ka mbajt një fjalim Mehmet Shehu dhe është betu në varrin e Bardhok Bibës se pa i mbush 101 të pushkatum për hakmarrje ndaj Bardhok Bibës, nuk ka me e lëshu Mirditën dhe Kthellën. Sigurisht që Mehmet Shehu kishte me e çu katastrofën deri në fund, por ato ditë jugu i Shqipërisë u trondit nga provokacionet greke dhe me këtë rast u shkul nga pozicionet e veta në Mirditë Divizioni i Parë bashkë me Mehmet Shehun dhe shkuan në kufirin me Greqinë në jug të vendit.
TRAGJEDIA E LLESH MELYSHIT
Ish fillimi i marsit 1946, kur internun Llesh Melyshin prej Kthelle, me krejt fëmijët e familjarët e tjerë, se ishte prej shtëpisë së bajraktarit e se i ishte arratis jashtë vendit i vëllai Ndue Melyshi. Babait të tij, Gjonit, komunizmi i grabiti krejt pasuninë, i dogji krejt kullat, e më në fund e degdisin familjarisht, fillimisht në Lezhë, e prej andej në Berat, Tepelenë, Vlonë e më vonë në Lushnjë. Një ditë, qeveria komuniste mori informata se ka ardh në Kthell si parashutist, Ndue Melyshi, vëllau i Lleshit. Ish muaji korrik i vitit 1949, kur sigurimi i komunistëve vendosi ta lirojë nga internimi Lesh Melyshin familjarisht, me gruen e fëmijët e vet dhe të renë, bashkë me fëmijët e djalit të tij, Markut.
Më në fund, ata shkuen në vatrën e shtëpisë së tyre të djegun e të rrënuer, ku nuk kishin kurrsesi me çka me jetue, bile nuk kishin as triskën e racionit të bukës. Qëllimi i lirimit të Lleshit dhe familjes së tij u bë me plan, me i bë kurth vëllait të tij Ndues, që ishte marrë vesh se kishte mbërrit si parashutist. Logjika e tyne donte të thoshte se Ndue Melyshi ngado që të sillej, do t’ia donte nevoja patjetër me marrë e me dhënë me familjen e Leshit. Në fakt, Ndue Melyshi kishte zbrit me parashutë në Kthellë të Mirditës, më 15 Fruer 1949.
Por ai edhe kur e mori vesh se Lleshi ishte liru dhe ishte në kullën e tij, asnjëherë nuk u duk nga familja e tij dhe as nuk u takue kurrë me vëllanë e vet. Ndodhi që më 7 gusht 1949 u vra Bardhok Biba nga Oroshi i Mirditës. Llesh Melyshi, pa ditur kurrgjë mbi vrasjen e tij dhe pa asnjë dijeni mbi këtë çështje, u arrestua në befasi po atë ditë dhe u çue në nënprefekturën e Rrëshenit, ku aty kishte ardh vetë Mehmet Shehu prej Tirane dhe kishte arrestue 400 burra nga Kthella e Mirditës, për vrasjen e Bardhok Bibës. Llesh Melyshin urdhërojnë me e torturue shumë rëndë.
E lidhin me duar pas shpine dhe me konope ia lidhin këmbët me hekura prapa makinës së Mehmet Shehut. Makina ndizet dhe e tërheq zvarr xhadesë, tue rropatë kryet për toke prej Rrësheni e deri tek ura e Fanit, në një largësi afro 10 kilometra. Por, prej Lleshit fatkeq nuk mujtën me marrë as nji informatë mbi vrasjen e Bardhok Bibës. Dy ditë më vonë, më 9 gusht 1949, atë bashkë me nëntë të tjerë i çojnë në vendin ku ishte vra Bardhok Biba dhe i pushkatojnë tue i rrokullis të lidhun me litarë në një përrue. Katër të tjerë i varën në rrugën kryqëzore të lisave të Shën Palit të Mirdiës. Po për këtë çështje, 300 burra i çuan në burgun e Shkodrës dhe 400 familje i internuan.