Elbasan/ Dy aksidente në pak minuta, raportohet për një viktimë

0

Dy aksidente rrugore janë regjistruar brenda pak minutash në dy segmente të ndryshme të rrugëve kombëtare në Qarkun e Elbasanit duke sjellë pasoja të rënda për jetën .

Sipas burimeve jo zyrtare një person dyshohet se humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e përplasjes së automjeteve.

Aksidenti më i rëndë ka ndodhur në aksin kombëtar Elbasan–Librazhd, konkretisht në segmentin rrugor Xibrakë–Labinot Fushë ku dy automjete janë përplasur mes tyre me një shpejtësi të konsiderueshme.

Përplasja ka qenë e fortë dhe për pasojë janë dëmtuar rëndë dy persona, të cilët u transportuan me urgjencë në spital.

Fatkeqësisht, njëri prej tyre nuk arriti t’i mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në ambientet spitalore.

Ndërkohë, një tjetër aksident është regjistruar në Kthesat e Murrashit, ku një automjet ka dalë nga rruga, por fatmirësisht pa pasoja serioze për drejtuesin e mjetit. Megjithatë, incidenti ka shtuar shqetësimet për sigurinë rrugore në këtë zonë.

Rrethanat e plota dhe shkaqet e saktë të këtyre ngjarjeve nuk janë ende të qarta, ndërsa grupet hetimore ndodhen në vendngjarje për të kryer verifikimet përkatëse.

Paraprakisht dyshohet se shpejtësia e lartë dhe kushtet e vështira atmosferike, me reshje të dendura shiu në zona të ndryshme të qarkut, kanë ndikuar në përkeqësimin e kushteve të qarkullimit dhe për pasojë në shtimin e rrezikut të aksidenteve.