Elbasan/ Këshilli Bashkiak kërkon zgjidhje urgjente pas zjarrit në landfill, alarm nga administratori i ECO ELB

0

Situata mjedisore në Elbasan po bëhet gjithnjë e më shqetësuese pas zjarrit që përfshiu për disa ditë landfillin e mbetjeve në fillim të korrikut. Këshilli Bashkiak u mblodh këtë javë në një seancë të posaçme, ku opozita kërkoi interpelancë urgjente me drejtuesit e kompanisë ECO ELB, përgjegjëse për menaxhimin e mbetjeve në qytet.

Gjatë mbledhjes, këshilltarët kërkuan informacion të detajuar mbi shkaqet e zjarrit dhe arsyet e mosfunksionimit të inceneratorit, i cili vijon të jetë jashtë pune dhe nën hetim nga autoritetet.

Administratori i kompanisë ECO ELB, z. Leli Kaja, dha një panoramë të zymtë të situatës:

“Kapacitetet e landfillit janë tejkaluar. Zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga shkaqe natyrore, por pritet që institucionet përkatëse të kryejnë hetimet dhe të japin përfundimet zyrtare.”

Z. Kaja bëri të ditur se ka dërguar disa shkresa zyrtare drejt institucioneve qendrore dhe ministrive për të kërkuar zgjidhje, por nuk ka marrë asnjë përgjigje deri tani. Ai kritikoi mungesën e bashkëpunimit politik në nivel lokal, duke theksuar:

“Asnjëherë nuk ka pasur bashkëpunim real në Këshillin Bashkiak, pavarësisht ngjyrave politike. Situata kërkon përgjegjësi të përbashkët.”

Për herë të parë, përfaqësuesit politikë të të dyja krahëve dolën me një deklaratë të përbashkët, ku theksuan nevojën për veprim të menjëhershëm.

“Ndërtimi dhe funksionimi i inceneratorit mund të jetë nën hetim, por qyteti ka nevojë për një zgjidhje alternative. Elbasani nuk mund të mbetet pa zgjidhje, ndërsa ajri dhe shëndeti i qytetarëve është në rrezik,” thuhej në deklaratë.

Mbledhja përfundoi me një apel për bashkëpunim institucional dhe politik, në mënyrë që Elbasani të mos përballet më me kriza të tilla mjedisore në të ardhmen.