Në një iniciativë të ndjeshme dhe me rëndësi të madhe shoqërore, nxënësit e klasës së 10-të të shkollës jopublike “Arianiti” në qytetin e Elbasanit nën kujdesin e shërbimit psikosocial të shkollës, organizuan aktivitetin me titull “Të zhdukur, por jo të harruar” Një zë për fëmijët e humbur”. Kjo nismë synon që të ngrejë në nivele mjaft të larta ndërgjegjësimin mbi fenomenin shqetësues të zhdukjes së fëmijëve, të analizojë shkaqet dhe pasojat e tij, si dhe të nxisë veprime konkrete për parandalimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.Përmes një sërë aktivitetesh kreative dhe emocionale, nxënësit kërkuan të lobojnë për krijimin e një regjistri kombëtar për fëmijët e humbur në Shqipëri duke e konsideruar këtë si një hap të domosdoshëm për një reagim më të shpejtë dhe më efikas të institucioneve në rastet e zhdukjes së fëmijëve.Në qendër të fushatës së zhvilluar nga nxënësit e Elbasanit ishte ndërgjegjësimi i bashkëmoshatarëve mbi faktorët që çojnë në zhdukjen e fëmijëve ,përfshirë rrëmbimet, trafikimin, dhunën në familje, apo edhe largimin vullnetar për shkak të kushteve të vështira jetësore apo emocionale.Aktivitetet kryesore të zhvilluara me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve të Zhdukur ishin Informimi dhe Edukimi ndërgjegjësues ku nxënësit prezantuan statistika shqetësuese si në nivel global ashtu edhe në Shqipëri. U trajtuan arsyet kryesore të zhdukjes së fëmijëve, ndërsa u theksua rëndësia e rolit të familjes, shkollës dhe institucioneve në parandalim dhe ndërhyrje të shpejtë.Ekspozita “Këpucët bosh” ishte në hapësirën e hyrjes së shkollës ku u vendosën dhjetëra palë këpucësh fëmijësh bosh, secila e shoqëruar me një emër imagjinar dhe një histori të shkurtër që përfaqësonte një fëmijë të zhdukur. Kjo ekspozitë vizuale goditi emocionalisht vizitorët dhe nxiti reflektim të thellë mbi pasojat e këtij fenomeni.
Nxënësit krijuan letra imagjinare të shkruara me ndjenjë, drejtuar fëmijëve të zhdukur. Këto letra ishin një mënyrë për t’u dhënë zë atyre që nuk mund të flasin vetë, dhe për të shprehur shpresën, dhimbjen dhe solidaritetin njerëzor.Një video sensibilizuese e përgatitur nga nxënësit u transmetua në ambientet e shkollës dhe në rrjete sociale, duke përçuar mesazhin se çdo fëmijë i zhdukur ka një histori që meriton të dëgjohet dhe një zë që nuk duhet të shuhet.Ky aktivitet solli një rritje të dukshme të ndërgjegjësimit te nxënësit, zhvilloi ndjeshmëri sociale dhe forcoi ndjenjën e përgjegjësisë qytetare. Mesazhi ishte i qartë: fëmijët e zhdukur nuk janë thjesht statistika ,ata janë jetë që duhen mbrojtur dhe histori që duhen treguar.
Nxënësit dhe organizatorët bënë thirrje për më shumë bashkëpunim institucional, për politika të mirëfillta parandalimi dhe për një sistem kombëtar që do të sigurojë që asnjë fëmijë të mos humbasë në heshtje. Sepse, siç u tha gjatë aktivitetit:
“Ata mund të jenë të zhdukur, por kurrë nuk duhet të jenë të harruar.”