Në Landfillin e Elbasanit po vijon pa ndërprerje operacioni intensive për mbulimin me dhe të sipërfaqes së fushës së mbetjeve, nga e cila ende dalin shtëllunga tymi pas zjarrit masiv të ditëve të fundit. Megjithatë, situata këtë të diel paraqitet dukshëm më e qetë dhe më e kontrolluar krahasuar me ditët e mëparshme.
Aktualisht, mbi 50 efektivë nga shërbimi zjarrfikës, bashkia dhe ushtria janë të angazhuar në terren, të pajisur me mjete zjarrfikëse dhe rreth 20 njësi logjistike, përfshirë kamionë, fadroma dhe traktorë. Qëllimi mbetet ndërprerja përfundimtare e daljeve të tymit në sipërfaqe dhe izolimi total i vatrave të mbetura. Por kjo proçedurë për vetë dinamikën që kanë zjarret në fushat e plehrave kërkon kohë.
Ky angazhim i shtuar është nxitur edhe nga ultimatumi i kryeministrit Edi Rama, i cili kërkoi përmbylljen e kësaj emergjence mjedisore brenda fundjavës. Reagimi i koordinuar i institucioneve shtetërore dhe mobilizimi i burimeve njerëzore e teknike në ditët e fundit kanë sjellë shenja të para pozitive në kontrollin e situatës.
Pavarësisht përparimit, pasojat e kësaj ngjarjeje mbeten të rënda. Ndotja e ajrit, përhapja e tymit toksik dhe ndikimi i drejtpërdrejtë në shëndetin e banorëve të zonës përreth janë shqetësime madhore që kërkojnë monitorim të vazhdueshëm dhe masa të mirëfillta për rikuperim dhe parandalim të rasteve të ngjashme në të ardhmen. Ndërkohë në njoftimin e saj për situatën Ministria e Mbrojtjes konfirmon prezencën në terren edhe gjatë ditës së sotme , ndërsa shton se gjatë ditës së djeshme një grup ekspertësh ishte në terren për matjen e ndotjes së ajrit, por pa zbuluar detaje për gjetjet e specialistëve të fushës.
Zjarri përfshiu fushën e mbetjeve në Elbasan pasditën e 1 korrik, ndërsa policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe përgjegjësit e kësaj ngjarjeje që tronditi Elbasanin dhe jo vetëm.