SHKODER – Vllaznia ka arritur të sigurojë kualifikimin për në gjysmëfinale të Kupës së 73-të të Shqipërisë pas gjuajtjeve të penalltive në sfidën me Elbasanin.
120 minuta lojë dhe një barazim 3-3 në “Loro Boriçi”, nuk mjaftuan për të përcaktuar emrin e fituesit. Te pika e bardhë e penalltisë, kuqeblutë shkodranë u treguan më të saktë, 5 goditje përfunduan në rrjetë (dy të humbura), ndërsa elbasanasit realizuan vetëm katër (tre të humbura).
Një ndeshje me shumë gola ajo e luajtur në “Loro Boriçi”, 6 të tillë, 3 për secilën skuadër, pa harruar që dy golat e parë të kuqebluve në fakt ishin autogola.
Shkodranët kaluan në avantazh falë devijimit të bërë nga Lila në minutën e 15-të, ndërsa Lajthia vendosi barazpeshën 10 minuta më vonë. Në fillimin e pjesës së dytë është edhe një herë Lajthia (50’) që kalon në avantazh Elbasanin, por një devijim i Mustës në minutën e 56-të rikthen barazpeshën në 2-2.
Fundi i takimit është mjaft emocionues, me kuqeblutë që kalojnë në avantazh në minutën e 90-të me anë të Krymit, por elbasanasit rikthejnë edhe njëherë barazpeshën me Olberkis (90’+7) në shtesë.
90 minuta lojë dhe barazim 3-3 për t’i lënë radhën shtesës 2×15 minuta, por që rezultati mbetet i pandryshuar deri në fund. Gjuajtja e penalltive u buzëqesh kuqebluve shkodranë, të cilët tregohen më të saktë duke realizuar 5 të tilla, ndërsa Elbasani 4.