Elbasani i helmuar nga plehrat: Landfilli kthehet në një kërcënim për jetën e qytetarëve

0
Screenshot

 

Ndërsa situata e krijuar në vendgrumbullimin e mbetjeve pranë qytetit të Elbasanit ka marrë përmasa alarmante në mbledhjen më të fundit të Këshillit Bashkiak, këshilltarët e opozitës, veçanërisht ata të Partisë Demokratike, ngritën një alarm të fortë për ndotjen masive mjedisore dhe kërcënimin real për shëndetin publik që po vjen nga ky vendgrumbullim i mbetjeve.“Nuk është prej vitesh landfill, por një mal me plehra që me ndotjen alarmante që shkakton po jua bën jetën ferr banorëve të lagjeve pranë saj dhe jo vetëm ” .
Sipas këshilltarëve të djathtë, ajo që njihet në dokumente si “Landfilli i Elbasanit” nuk mund të quhet kurrsesi i tillë, pasi nuk plotëson asnjë nga standardet teknike dhe mjedisore që duhet të ketë një landfill modern.“Ky është një vendgrumbullim i hapur, pa asnjë sistem filtrimi, pa trajtim, pa mbrojtje ndaj rrjedhjes së lëngjeve toksike dhe pa asnjë transparencë publike. Ky nuk është një landfill, por është një krim i rëndë mjedisor,” –u shpreh një prej këshilltarëve të Partisë Demokratike në mbledhje.
Mbetjet të cilat vijnë nga të gjitha bashkitë e Qarkut Elbasan ,përfshirë Librazhdin, Prrenjasin, Gramshin, Peqinin, Cërrikun, Belshin si edhe Rrogozhinën janë grumbulluar pa kontroll në këtë vend duke krijuar një zonë të tejmbushur me plehra që sipas dëshmive të banorëve dhe ekspertëve ka filluar të helmojë ajrin dhe ujin e zonës në përmasa të frikshme .“Fusha e plehrave në Elbasan është kthyer në një mal mbeturinash dhe aroma e rëndë tani që ka filluar rritja e temperaturave përhapet deri në zemër të Elbasanit. Kjo situatë nuk është më thjesht shqetësuese, por është rrezik i madh për shëndetin e qytetarëve,” – tha një tjetër anëtare i këshillit bashkiak të Partisë Demokratike.
Përveç ajrit, edhe lumi Shkumbin po ndotet çdo ditë nga ky vendgrumbullim plehrash , duke u kthyer nga burim jete në një rrezik të heshtur për mijëra qytetarë dhe bujq të zonës që fermat e tyre furnizohen me ujë për vaditje nga rrjedha e Shkumbinit.
“Kemi të bëjmë me një helmim të heshtur të një prej lumenjve më të rëndësishëm në vend. Ky është një skandal mjedisor që kërkon hetim dhe veprim urgjent,” – tha një tjetër përfaqësues i opozitës në këshillin bashkiak të Elbasanit.Situata është përkeqësuar ndjeshëm pasi Inceneratori i Elbasanit ka dalë prej kohësh jashtë funksioni dhe kërkohen 4-6 milion euro për ta rivënë në punë , ndërsa thuhet se e mira do ishte shkatërrimi i tij për të mos çuar dëm miliona euro të tjera pasi teknologjia e tij nuk përmbush asnjë standart. Sipas raportimeve zyrtare, ai ka punuar fare pak kohë , një muaj në fillim dhe më pas për vetëm shtatë muaj , para se të vihej nën sekuestro. Aktualisht, inceneratori nuk është në gjendje pune dhe administrohet nga shoqëria Eco-Elb sha, një ent i përbashkët i krijuar nga bashkitë e Qarkut Elbasan.
Në këtë situatë të rënduar, Këshilli Bashkiak i Elbasanit miratoi të Premten një kontratë të re për trajtimin e mbetjeve, e cila përfshin tarifën e përpunimit të mbetjeve urbane prej 2,600 lekësh të vjetra për ton. Kjo tarifë u përcaktua nga Asambleja e Përgjithshme e Eco-Elb, që përfshin kryetarët e të shtatë bashkive të Qarkut.Personat e përcaktuar për zbatimin e kontratës janë,Leli Kaja, përfaqësues i shoqërisë Eco-Elb,Denis Pëllumbi, përgjegjës i sektorit të pastrimit në ASHP Rurale Ellbasan ,Ardian Pisha, specialist për analiza dhe statistika.Këshilltarët e opozitës pas miratimit të kësaj kontrate vetëm me votat e mazhorancës socialiste ,kërkuan edhe njëherë spostimin urgjent të vendgrumbullimit aktual të mbetjeve urbane , duke e konsideruar atë si një kërcënim real për shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Sipas tyre, kjo është një çështje që tejkalon përmasat lokale dhe kërkon ndërhyrje të nivelit qendror.“Kjo nuk është një krizë thjesht bashkiake. Është një katastrofë që duhet të marrë vëmendjen e Ministrisë së Mjedisit, Kryeministrisë dhe institucioneve të tjera shtetërore,” – thanë këshilltarët.Qytetarët e Elbasanit dhe zonave përreth janë gjithnjë e më të shqetësuar për gjendjen e mjedisit, ndërkohë që institucionet vendore duket se mjaftohen me zgjidhje afatshkurtra dhe burokratike. Por siç paralajmërojnë këshilltarët opozitarë:“Nuk ka më kohë për pritje. Çdo ditë që kalon, ajri bëhet më helmues, uji më i rrezikshëm dhe jeta më e vështirë. Kjo është një emergjencë mjedisore që duhet trajtuar si e tillë.”