Elbasan – Një ndeshje që peshon sa një sezon. AF Elbasani zbret në fushë përballë Partizani Tirana në sfidën e kthimit të Kupës, me objektivin e qartë: përmbysjen e humbjes minimale të ndeshjes së parë dhe sigurimin e një bilete për në gjysmëfinale.
Disfata e ngushtë në takimin e parë në Elbasan ka vënë verdheblutë në një situatë të vështirë në letër, por brenda kampit elbasanas besimi mbetet i plotë. Trajneri Ivan Gvozdenoviç e konsideron përballjen totalisht të hapur, pavarësisht avantazhit të lehtë që mban kundërshtari.
Tekniku vlerëson formën e mirë që po kalon Partizani në këtë fazë të sezonit, por thekson se skuadra e tij është e përgatitur për të dhënë maksimumin në 90 minutat vendimtare. Sipas tij, çelësi i ndeshjes së kthimit do të jetë përqendrimi, menaxhimi i momenteve dhe shfrytëzimi i çdo rasti të krijuar para portës.
Në kampin verdheblu ekziston bindja se diferenca është minimale dhe e përmbysshme, ndërsa theksohet se detajet do të bëjnë diferencën në këtë duel.
Një ditë para ndeshjes, skuadrën e vizitoi në stërvitje edhe presidenti Kujtim Llupa, i cili kërkoi angazhim maksimal dhe kalimin në turin tjetër, duke e cilësuar këtë përballje si një moment kyç për ecurinë e sezonit.
Tashmë gjithçka do të vendoset në fushë. Për Elbasanin, kjo nuk është thjesht një ndeshje Kupe – është prova e karakterit dhe ambicies për të vijuar rrugëtimin mes katër më të mirave.





