Elbasani zhvendos merkaton jashtë Sh qipërisë. Skuadrës i janë bashkuar në Strugë edhe dy të huaj. Bëhet fjalë për lojtarë të vijës së parë, konkretisht një brazilian dhe një italian. Leo Melo nga Brazili dhe Gabriele Paselo nga fqinjët e Italisë. Lojtarët kanë nisur tashmë stërvitjen me grupin.
Nuk mund të flitet ende për firmë, pasi fillimisht do t’i nënshtrohen provës. Nëse bindin do t’u ofrohet një kontratë, në të kundërt do të largohen. Edhe pse aktualisht skuadrës nuk i mungojnë sulmuesit, klubi është vënë në kërkim të një tjetër lojtari në këtë rol.
BRAZILIANI – Leo Melo është i datëlindjes 2001 dhe luan në repartin e avancuar. 22-vjeçari rol parësor ka atë të “pykës”, por përshtatet mirë edhe si një sulmues krahu.
Bëhet fjalë për një futbollist 180 cm të gjatë dhe me parametrat e duhura për këtë pozicion në fushë. Nga sa mësohet, ai vjen tek Elbasani pas aventurave në ligat e ulëta në kampionatin brazilian dhe për herë të fundit ka milituar në ekipin e Marica FC, pasi ishte dërguar huazim nga skuadra Volta Redonda.Burimet në klub pohojnë se të dhënat e para janë të mira dhe ka gjasa që ta vijojë edhe për disa ditë aventurën në fazë përgatitore dhe më pas të shihet nëse do të bindë plotësisht trajnerin dhe stafin.
ITALIANI – Gabriele Paselo është një futbollist i ri italian, që në shtator mbush 19 vjeç dhe shihet si një element edhe i perspektivës.
Ai vjen në Elbasan pas një eksperience në Serinë D italiane, ku sezonin e fundit ka qenë pjesë e skuadrës se Verbanos. Mirëpo, ndryshe nga braziliani, ku pritshmëritë e para janë pozitive, me 19-vjeçarin rrugët mund të mbyllen shumë më shpejt nga sa pritej dhe vështirë ta kalojë provën.
Edhe për këtë lojtar të dhënat nuk janë të shumta, sepse është ende i ri dhe për më tepër ka qenë pjesë e kategorive inferiore në vendin fqinj. Gjithsesi, mbetet e gjitha për t’u parë nëse edhe italiani mund të shfaqë potencialin e tij më të mirë për të pretenduar më pas nisjen e aventurës në vendin tonë.