Tiranë – Partia Socialiste ka mbështetur shtyrjen e afatit të regjistrimit në platformën PER vetëm për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe që janë refuzuar në sistem gjatë aplikimit. Në një reagim për mediat, përfaqësuesja e PS-së pranë KQZ-së, Elena Xhina, theksoi se kjo kategori, e cila numëron rreth 42,000 persona, ka shprehur vullnetin për t’u regjistruar brenda afatit dhe meriton një mundësi për të korrigjuar mangësitë.
PS ka kundërshtuar çdo shtyrje të përgjithshme të afatit për ata që nuk kanë aplikuar ende, duke argumentuar se procesi ka pasur kohën dhe informimin e nevojshëm. Sipas Xhinës, një shtyrje më e gjerë do të cënonte logjikën e afateve dhe standardet e procesit zgjedhor.
Reagim i Elena Xhina, përfaqësuese e Partisë Socialiste pranë KQZ-së:
Në përgjigje të interesimit të medias në lidhje me idenë e shtyrjes së afatit të regjistrimit në platformën PER të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, Partia Socialiste ka mbështetur mundësinë e marrjes së kësaj mase vetëm për ata shtetas të cilët aktualisht figurojnë në sistem si aplikantë të refuzuar.
Marrë në konsideratë faktin se këta shtetas i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së KQZ për regjistrim; e kanë shprehur vullnetin e qartë brenda afatit të deklaruar; janë në një numër të konsiderueshëm (42,000); kanë aktualisht një llogari të hapur në sistem dhe u është njohur e drejta e riaplikimit pavarësisht të qënit të refuzuar; shtyrja me disa ditë e afatit mund tu krijojë atyre shansin e fundit për të korrigjuar mangësitë dhe konfirmuar regjistrimin.
Partia Socialiste thekson se kjo masë shtyrjeje nuk ka arsye të zbatohet për aplikantë të tjerë jashtë kësaj kategorie, të cilët nuk e kanë aktualisht një llogari të hapur në sistemin PER.
Falë angazhimit të KQZ-së por dhe forcave politike me fushatën e gjërë të informimit, vlerësojmë se ka qenë koha e mjaftueshme që çdo shtetas i interesuar të bëhej pjesë e procesit brenda datës 4 Mars.
Çdo shtyrje afati për kategorinë e aplikantëve që deri më tani nuk kanë shfaqur interes do të mund të konsiderohej sërish e pamjaftueshme dhe do të rrëzonte vet logjikën e afateve në një proces të tillë. Ndërkohë, dhënia e kohës shtesë për ata aplikantë që janë të refuzuar në sistem, do ti shërbente shterrimit të të gjitha mundësive që vullneti i tyre për tu bërë pjesë e procesit të mos shkonte dëm! /Infoweb Media