EMRAT/ Akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike, SPAK dërgon për gjykim 4 të pandehur

0

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim katër të pandehur të akuzuar për trafikimin e lëndëve narkotike.

Sipas njoftimit zyrtar, çështja është dorëzuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë. Hetimet kanë zbuluar elementë të përfshirjes në aktivitet të strukturuar kriminal të lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike, ndërsa procedurat hetimore janë përfunduar me mbledhjen e provave të nevojshme për akuzat ndaj të pandehurve.

SPAK thekson angazhimin e tij për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke çuar para drejtësisë individët e përfshirë në veprimtari kriminale.

Katër të Pandehurit janë Islam Sefa alias Xaka; Hajdar Lala alias Xaka, alias Sefa; Vidjan Baroka dhe Durim Xaka:

1. Islam Sefa (alias Xaka) – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:

i. “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe më shumë se një herë në 9 episode (ai para datës 08.04.2020, dhe episodet e datave 08.04.2020, 30.04.2020, 15.05.2020, 22.05.2020, 29-31.05.2020, 02.02.2021, 24.02.2021 si dhe 01.03.2021), parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
ii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.

2. Hajdar Lala (alias Xaka, alias Sefa) – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:

i. “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe më shumë se një herë në 4 episode (të datave 08.04.2020, 30.04.2020, 22.05.2020 dhe 29.05.2020), parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
ii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.

3. Vidjan Baroka – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:

i. “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe më shumë se një herë në 4 episode (të datave 08.04.2020, 08.04.2020, 30.04.2020, 22.05.2020), parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
ii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.

4. Durim Xaka – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:
i. “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe më shumë se një herë në 7 episode (ai para datës 08.04.2020, dhe episodet e datave 08.04.2020, 30.04.2020, 15.05.2020, 22.05.2020, 29-31.05.2020 dhe 02.02.2021), 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
ii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.

Nga tërësia e hetimeve të kryera, bashkëpunimi gjermano-shqiptar në luftën kundër krimit të organizuar dhe duke u bazuar tek komunikimet e zhvilluara në platformat e enkriptuara, EncroChat dhe SkyEcc, janë administruar prova në kuadër të ndihmës së ndërsjellët juridike në fushën penale, të cilat, kanë identifikuar 12 persona, 8 prej të cilëve janë shtetas shqiptarë dhe 4 shtetas gjermanë, të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal të trafikimit të narkotikëve. Sasia e lëndës narkotike sigurohej kryesisht nga Shqipëria dhe Spanja dhe pasi futej në territorin gjerman tregtohej në rajonin Wolfsburg-ut, Magdeburg-ut, si edhe në shtete të tjera të Bashkimit Evropian.
Nga hetimet ka rezultuar dhe është provuar se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre gjatë viteve 2020-2021 kanë trafikuar në Gjermani, sasinë prej mëse 1000 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë, vlera e së cilës arrin shumën e 3,374,400 (tremilionë e treqindë e shtatëdhjetë mijë e katërqind) euro.

Nga aktet e administruara për këtë procedim penal ka rezultuar dhe është provuar se të pandehurit, Islam Sefa (alias Xaka), dhe Hajdar Lala (alias Sefa, alias Xaka) kanë pasur rol drejtues dhe financues në veprimtarinë e paligjshme kriminale të trafikimi të narkotikëve, ndërsa të pandehurit, Vidjan Baroka dhe Durim Xaka dhe bashkëpunëtorët e tyre të proceduar dhe dënuar në Gjermani, kanë pasur rol ndihmues.

Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të të pandehurve që kanë marrë pjesë në këto episode, është proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal Nr. 150 të vitit 2022, numërtimin si procedimi penal Nr. 150/1 i vitit 2024, dhe vijimin e hetimeve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu