EMRAT/ Arrestimet e paralajmëruara nga InfoWeb konfirmohen nga Policia – Mes të ndaluarve edhe ‘krahu i djathtë’ i Talo Çelës, të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale

0

Tre shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë arrestuar në Dubai, si pjesë e operacionit të koduar “The Wanted”. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, në pranga kanë rënë Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika – të njohur si bashkëpunëtorë të ngushtë të të shumëkërkuarit Talo Çela.

InfoWeb Media raportoi për këtë zhvillim që para disa ditësh, duke bërë me dije se tre shqiptarë të tjerë ishin ndaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe pritej ekstradimi i tyre drejt Shqipërisë. Njoftimi i sotëm nga Policia konfirmon raportimin tonë, duke dhënë dhe detaje konkrete për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Sipas autoriteteve, Ervis Daka akuzohet për disa vepra të rënda penale, përfshirë sigurimin e kushteve për vrasje, mbështetjen e autorëve të krimit dhe ndihmën e dhënë për fshehjen e Talo Çelës. Maksim Koçi është i dyshuar për pjesëmarrje në disa vrasje dhe mbështetje logjistike për grupin kriminal, ndërsa Ado Xhika ka ndihmuar Çelën për një periudhë dyvjeçare dhe ka ndërmjetësuar edhe një intervistë për një gazetar.

Operacioni është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë shqiptare, Interpolit dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ndërkohë, Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e tyre drejt Shqipërisë.