Shëngjin- Finalizohet operacioni policor i koduar “Kamuflimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza.
Nga policia janë identifikuar 4 shtetas që shitnin doza të lëndëve të ndryshme narkotike, në zonat e frekuentuara nga pushuesit, në Shëngjin.
Në pranga janë vënë Altin Gashi, Ermal Tahiri, Salim Bouyaiche dhe punohet për kapjen e Ardian Gashi.
Gjatë operacionit u sekuestruan doza kokaine dhe kanabisi, kanabis në trajtë çokollate, MDMA, ekstazi, kërpudha halucinogjene, 1 automjet dhe 3 celularë që dyshohet se përdoreshin për këtë veprimtari kriminale.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shitnin doza të lëndëve të ndryshme narkotike në zonat turistike të Shëngjinit.
Gjatë kontrollit fizik, 3 shtetasve të arrestuar iu gjetën doza të lëndëve narkotike. Nga këqyrja e celularëve të sekuestruar, u gjetën komunikime të këtyre shtetasve për organizimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.