EKUADOR- Një shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri teksa po pushonte në një automjet jashtë spitalit Luis Vernaza, në Guayaquil te Ekuadorit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:30
Shqiptari i identifikuar si Arjanit Rizaj, rreth 53 vjeç, ka shoqëruar bashkëshorten në spital sepse babai i saj ishte i shtruar. Rizaj dyshohet se është sulmuar nga persona të cilët kanë mbërritur me një motoçikletë. Sipas informacioneve paraprake nga Policia Kombëtare, ata kanë përdorur një armë zjarri të kalibrit 9 milimetra.
Familjarët tentuan ta shtronin me urgjencë burrin në spitalin Luis Vernaza, por më pas ai u dërgua në klinikën Panamericana, ku për shkak të plagëve të marra humbi jetën. Më pas janë kryer procedurat mjeko-ligjore, si analiza e vendit të ngjarjes dhe transferimi i trupit në Laboratorin e Krimit.
Duke u marrë në pyetje nga policia, bashkëshortja e 53-vjeçarit, ka deklaruar se i shoqi nuk punonte sepse ishte pa dokumente. Ndërkohë që se si jetonin, ajo tha se i ndihmonin të afërmit nga Shqipëria dhe Kanadaja. Po ashtu gruaja u tha oficerëve se nuk e dinte motivin e sulmit