EMRI/ Mbante armë dhe municion luftarak në banesën e tij, arrestohet 36-vjeçari në Kurbin

0

Një 36-vjeçar i identifikuar si  Ermal Llozhi  është arrestuar nga Policia e Lezhës pasi mbante armë dhe municion luftarak në banesën e tij.

Blutë kanë sekuestruar një armë zjarri automatike dhe municion luftarak si provë materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Njoftim i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas mbante armë zjarri pa leje në banesën e tij,organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Information”.

Në kuadër të këtij operacioni, u ushtrua kontroll i befasishëm në banesën e shtetasit E. Ll, ku gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatike,1 krehër me fishekë dhe municion luftarak.

 

 

Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Ll., 35 vjeç, banues në Mamurras.

Arma e zjarrit do t’i nënshtrohet ekspertizës së mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore për të përcaktuar nëse është përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të mëparshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.