EMRI/ Përdhunoi vajzën e tij të mitur, arrestohet 60-vjeçari i dënuar me burg

0

Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 60-vjeçar, i cili është dënuar me burg në Itali për përdhunimin e vajzës së tij të mitur.

Nikolla Llogo, banues në Durrës, u arrestua në kuadër të operacioni policor “Operacionalja 46”.

Në njoftimin e policisë thuhet se ngjarja e rëndë raportohet se ka ndodhur në komunën Noceto të Italisë, ndërsa më 23 Maj 2025 Nikolla Llogo u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma.

Gjykata e Apelit e Bolonjës e ka dënuar me 5 vjet e 10 muaj burgim, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur” (me vajzën e tij), informuan blutë. 60-vjeçari u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 46”.

I dënuar në Itali, me 5 vjet e 10 muaj burgim, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur”, kapet në Durrës nga Operacionalja, 60-vjeçari.

Në vijim të punës për gjurmimin për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet operacionale të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, siguruan informacion për vendndodhjen e një të kërkuari nga drejtësia italiane.

Bazuar në informacionin e marrë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Operacionalja 46”, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi, i shtetasit Nikolla Llogo, 60 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar më datë 23.05.2025 nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Bolonjës e ka dënuar me 5 vjet e 10 muaj burgim, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur” (me vajzën e tij), ngjarje e ndodhur në komunën Noceto, Itali.

Vijon puna për finalizimin e ekstradimit të këtij shtetasi drejt Italisë.