Një 45-vjeçar është vënë në pranga, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 04.03.2025, caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Gjatë hetimeve, shërbimet e Policisë siguruan prova të mjaftueshme për përfshirjen e këtij shtetasi në shpërndarjen e lëndëve narkotike të llojit kokainë në zona të ndryshme të qytetit të Vlorës.
Nga kjo veprimtari kriminale, 45-vjeçari ka përfituar shuma të konsiderueshme parash, të cilat dyshohet se i ka gjeneruar nga shitja e dozave të kokainës.
Gjithashtu, gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kryen kontroll në banesën e tij, ku gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 222 doza kokainë, 1 peshore elektronike, e përdorur për ndarjen e dozave, 2 aparate celularë, dhe 1 automjet.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.