Enigma/Lihen në burg “Akili” dhe 5 të tjerë, njëri në detyrim paraqitje

0

Gjykata e Durrësit u “blindua” nga forcat e policisë të dielën. Shkak u bë seanca gjyqësore, ku Xhevdet Plaku, i arrestuar të enjten nga operacioni “Enigma”, doli për verifikimin e masës së sigurisë.

Në përfundim të seancës ai u la në masën e sigurisë arrest me burg.

E njëjta masë sigurie u la edhe për Flobens Meçjen, Voltan Xhanin, Jugert Xhanin, Oltion Hasanin dhe Fatjon Qesjen.

Për të vetmin që ndryshoi masa e sigurisë ishte Alfred Hasanaj, i cili u la në detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë vendit.

Xhevdet Plaku, një person me rrezikshmëri shumë të lartë, është emër shumë i njohur për Policinë e Shtetit. I njohur me disa identitete, mes të cilave edhe nofka “Akili”, ai i ka shpëtuar disa atentateve ndërsa në janar u arratis nga burgu i Ancona-s. Kur u arrestua në Gjirin e Lalzit, policia tha se ai kishte një armë me fishek në fole, gati për qitje.

Mes shokëve të tij të arrestuar, dy po ashtu janë me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Flobens Meçja alias Gega, alias Drini ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për sigurim kushtesh për vrasje dhe organizatë kriminale. Në momentin e arrestimit ai kishte dy dokumente të tjera të falsifikuara.

Ndërsa 39-vjeçari Voltan Xhani, ishte në kërkim Gjykata e Shkodrës për sigurimin e kushteve për vrasjen e Elis Rroshkodolit në Shkodër.

Në aksionin “Enigma” me armë u kap edhe Jugert Xhani.

Ndërsa pjesa tjetër e të arrestuarve u kapën për veprat penale moskallëzim krimi dhe përkrahje e autorit të krimit.