“Fali se nuk dinë ç’bëjnë”, Meta uron Pashkët

0

Presidenti Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët Ortodoksë për Pashkët. Në festën më të rëndësishme për besimtarët e krishterë, Meta ka përcjellë mesazhin e tij duke sjellë lutjen e fundit të Krishtit mbi Kryq: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë!”

Kreu i shtetit thekson se: “Festa e Dritës, që kurrë nuk perëndon, na kujton sot se sado i lartë të duket “mali” i së keqes, e mira do të triumfojë sepse shpresa me besimin në Zot nuk vdes asnjëherë, por ajo është e gjallë dhe do të ngjallet si Krishti”.

Mesazhi i plotë:

Të dashur besimtarë ortodoksë,

Gëzuar Festën e Shenjtë të Pashkës, Ditën e Ngjalljes së Krishtit, të triumfit të jetës mbi vdekjen, të dritës mbi errësirën, të së mirës ndaj së keqes dhe të dashurisë mbi urrejtjen.

Lutja e fundit e Krishtit mbi Kryq: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë!”, na kujton se “helmimi” i familjes, i shoqërisë dhe i politikës nga fenomenet e errëta duhet luftuar me kryengritjen paqësore të madhështisë së dashurisë dhe faljes, që na mësoi dhe predikoi me vepra Biri i Perëndisë.

Shumë përpiqen ta shmangin këtë parim, por siç na mëson Ungjilli: “Të bekuar janë ata, që frymëzohen nga falja, e cila buroi nga varri i Krishtit. Të bekuar janë ata, që kërkojnë dashurinë e Tij, që kapërcen çdo mendje”.

Festa e Dritës, që kurrë nuk perëndon, na kujton sot se sado i lartë të duket “mali” i së keqes, e mira do të triumfojë sepse shpresa me besimin në Zot nuk vdes asnjëherë, por ajo është e gjallë dhe do të ngjallet si Krishti.

Me urimet më të përzemërta për popullin shqiptar, për më shumë shëndet, paqe e begati në familjet tuaja!

GËZUAR PASHKËN!

KRISHTI U NGJALL! VËRTET U NGJALL!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu