Fatos Nano lë spitalin, vijon rehabilitimin në shtëpi

0

Gjendja shëndetësore e Fatos Nanos është stabilizuar. Ish kryeministri është rikthyer në shtëpinë e tij pasditen e sotme pas rreth 1 muaj i shtruar në një spital privat .Sipas mjekëve ai ka nevoje për një periudhë qetësie dhe rehabilitimi, pasi të jetë në gjendje që ti rikthehet aktiviteteve normale.

Nano, është shoqëruar për në banesën e tij me ambulancën e spitalit privat , nga ku po vijon rehabilitimin.

Ish kryeministri ishte shtruar në spital që prej 24 gushtit pasi kishte probleme me frymëmarrjen, teksa iu nënshtrua dhe një ndërhyrje kirurgjikale.

Nano vuan nga një sëmundje Pulmonare Obstruktive Kronike e quajtur ndryshe si SPOK. Kjo patologji që prek mushkëritë dhe karakterizohet nga një ngushtim i rrugëve respiratore me pasojë kryesore vështirësinë e furnizimit me oksigjen. Nano u shoqërua me ambulancë nga shtëpia e tij për në spital të enjten e 24 gushtit 2023, pasi kishte pasur probleme me frymëmarrjen. Ai u nderua nga Kryeministri Edi Rama me medaljen e mirënjohjes publike.

Nano është një prej personazhëve më të rëndësishëm të Shqipërisë pluraliste. Ai ka qenë katër herë kryeministër i vendit, i dyti në historinë 100 vjeçare të shtetit shqiptar pas Mehmet Shehut. Më konkretisht, në qeverinë që përgatiti zgjedhjet pluraliste të vitit 1991, në qeverinë e fituar nga Partia e Punës për tre muaj më 1992, në qeverinë e vitit 1997 dhe në qeverinë e vitit 2002 deri në 2005-ën. Nano ka qenë kryetar i PS-së për 13 vjet. Ka dhënë dorëheqjen tri herë si kryeministër dhe dy herë si kryetar i Partisë Socialiste, duke themeluar “institucionin” e dorëheqjes në Shqipëri, por edhe duke vënë një rekord në këtë fushë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu