Një problem shqetësues është trajtuar mbrëmjen e sotshme në emisionin “Fiks Fare”, ku në qendër të vëmendjes janë vendosur fëmijët e fshatit Jubë në Durrës, të cilët rrezikojnë të mbeten pa arsimi për shkak të mungesës së transportit.
Prindërit e 28 nxënësve që jetojnë në zonën Grykëderdhja e Erzenit kanë ngritur alarmin se prej fillimit të vitit shkollor 2023-2024 nuk u është ofruar më transport falas për fëmijët e tyre, një shërbim që ata e kanë përfituar prej vitesh. Arsyeja? Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 119, datë 01.03.2023. Ky vendim ka kufizuar të drejtën për transport falas vetëm për ata nxënës që nuk kanë asnjë institucion arsimor publik brenda njësisë së tyre administrative,
pavarësisht distancës reale që fëmijët duhet të përshkojnë çdo ditë. Në rastin konkret, shkolla “Juba” ndodhet rreth 4 kilometra larg shtëpive të këtyre fëmijëve, ndërkohë që shkolla “Rinia”, në sektorin Rinia, ndodhet 3 kilometra larg, por jashtë njësisë administrative të tyre.
Prindërit, të cilët paguajnë aktualisht 5 mijë lekë në muaj për secilin fëmijë që udhëton me furgon privat, shprehen se nuk përballojnë më këto kosto. “Nëse nuk ndryshon kjo situatë, fëmijët o do shkojnë në këmbë o do lënë shkollën, nuk kemi zgjidhje tjetër,” thonë ata me shqetësim. Edhe drejtoresha e shkollës “Rinia”, znj. Irdajina Llapushi, ka pohuar për Fiksin se ky është realisht institucioni më i afërt për këta fëmijë. Ndërkohë, Zyra Vendore Arsimore dhe Drejtoria Rajonale e Arsimit në Durrës shprehë se sipas VKM nr.119, këta fëmijë nuk plotësojnë kushtet për përfitimin e kësaj pagese.
DRAP Durrës, në përgjigjen zyrtare për “Fiksin”, shprehet se nxënësit “nuk janë në kushtet për të përfituar mbulimin e shpenzimeve të transportit”, duke iu referuar Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 119, i cili përjashton nga përfitimi të gjithë ata nxënës që kanë në vendbanimin e tyre një shkollë publike edhe nëse kjo shkollë ndodhet më shumë se 2 kilometra larg. Kjo do të thotë që nëse një fëmijë ka një shkollë “formalisht” në fshat apo lagje, por duhet të ecë 2.5 apo dhe 11 kilometra për ta arritur, shteti nuk i njeh të drejtën për transport. Fëmijët ecin nën shi, nëpër rrugë të pashtruara dhe të pasigurta, ndërkohë që autoritetet mbyllin sytë. Më keq akoma, asnjë institucion arsimor, përfshirë vetë Ministrin e Arsimit, nuk ka marrë iniciativën për të kërkuar një akt normativ që të rishikojë këtë VKM./TCH